1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Çmimi për Lirinë e Shprehjes për kritikun Sadegh Zibakalam

Rahel Klein
3 Maj 2018

Politologu iranian, Sadegh Zibakalam kërcënohet me burgim për shkak të një interviste dhënë Deutsche Welles. Tani ai nderohet për guximin e tij të kritikojë qeverinë iraniane.

https://p.dw.com/p/2x4zA
Prof. Sadegh Zibakalam
Fotografi: DW

"Mendoj, se krimi im ishte që në një intervistë me Deutsche Wellen kam shprehur një qëndrim politik, që bie ndesh me atë të qeverisë", thotë Sadegh Zibakalam. "Kur qeveria thotë, se trazirat jepen me porosi të armiqve të Iranit, atëherë qeveria pret që të gjithë të bien dakord me këtë qëndrim."

Sadegh Zibakalam nuk e ka bërë këtë. Në janar, politologu i njohur irianian u shpreh në një intervistë dhënë redaksisë për Iranin në Deutsche Welle mbi trazirat në Iran. Atëherë dolën dhjetëra mijëra vetë në rrugë për të protestuar kundër politikës ekonomike të qeverisë dhe elitës politike në vend. Zibakalam tregoi mirëkuptim për protestuesit dhe kundërshtoi fajësimet e qeverisë. "Thashë se protestat janë të organizuara nga populli iranian. Se ato nuk ndikohen nga askush jashtë Iranit. Pra që nuk kishte gisht ndonjë fuqi e huaj", thotë Zibakalam në intervistë me Deutsche Wellen.

Sadegh Zibakalam iranischer Reformer
Sadegh ZibakalamFotografi: Nasim

Për këto deklarata, 69 vjeçari rrezikon të burgoset me 18 muaj. Në mars gjykata e revolucionit dha dënimin kundër Zibakalam. Nëse ky vendim hyn në fuqi, ai dënohet jo vetëm me burg, por edhe dy vjet me të ashtuquajturin "anatemim publik", ku nuk lejohet të japë asnjë intervistë, nuk lejohet të publikojë, e të mos jetë aktiv në mediat sociale. Zibakalam e ka apeluar vendimin.

Kërcënimi me burg nuk e ndal politologun të jetë përditë aktiv në mediat sociale dhe të shprehë kritikën e tij. "Nëse drejtësia më thotë, profesor Zibakalam, nuk duhet të jepni më intervista, atëherë do të bindem. Por nuk ma ka thënë këtë. Prandaj pres derisa gjykata e apelit të japë vendimin e saj", thotë ai.

"Vepra të përsëritura"

Për drejtësinë iraniane, Zibakalam ka kryer në mënyrë të përsëritur shkelje. Profesori i Universitetit të Teheranit është një ndër intelektualët e ekspertët më të njohur politikë të Iranit dhe është i afërt me kampin reformues të presidentit, Rohani. Ai është i njohur për debatet e ashpra të zhvilluara me përfaqësuesit e linjës së ashpër. Ai ka kritikuar rregullisht pozicionet e qeverisë për çështje të politikës së jashtme dhe të brendshme.

Mitarbeiterversammlung 2013 in Berlin Peter Limbourg
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle-s, Peter LimbourgFotografi: DW

Zibakalam ka studiuar në universitetin britanik të Bredfordit shkencat politike. Doktoraturën ai e ka mbrojtur për "revolucionin islaim dhe politikën e perëndimit". Gjatë studimeve ai u arrestua nga policia sekrete në vitin 1974 gjatë një vizite në familje për "propagandë kundërshtetërore dhe sabotazh". Zibakalam u kthye në vendlindje në fillim të viteve 80-të në Iran. Pak më vonë ai filloi karrierën universitare në Universitetin e Teheranit. Në vitin 2000 kandidoi në zgjedhjet parlamentare në qytetin Zanjan. Por kandidatura e Zabakalam u shpall e pavlefshme nga Këshilli Mbikqyrës Iranian.

"Nuk do të hesht"

Procesi gjyqësor në vazhdim nuk është procesi i parë për Zibakalam. Në qershor të vitit 2014 ai u dënua po me 18 muaj burg për shkak të kritikës ndaj programit atomik iranian. Por profesori nuk shkoi në burg, sepse dënimi u shndërrua në gjobë.

Zibakalam është i vetëdijshëm për pasojat në rast të kritikave ndaj qeverisë. "Po qe se do të merrja vendimin, të mos shprehem më, atëherë do ta kisha bërë këtë para tre vjetësh, kur u dënova sepse kritikova programin atomik."

Për guximin e tij të mos reshtë së kritikuari qeverinë, Deutsche Welle e nderon Sadegh Zibakalam me Çmimin për Lirinë e Shprehjes për vitin 2018. "Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle-s, Peter Limbourg u shpreh se "nderimi me çmimin synon të mbështesë shoqërinë civile në Iran dhe të kritikojë në të njëjtën kohë qeverinë për vendimin e saj për përndjekjen e Zibakalam për shkak të shprehjes së lirisë së mendimit."

"Ndjehem shumë i nderuar" thotë Zibakalam. Në të njëjtën kohë ai është mjaft modest. "Por besoj se ka shumë gra dhe burra iranianë që kanë vuajtur më shumë, për të përdorur të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes. Ka qindra iranianë diku jashtë që e kanë merituar po ashtu këtë çmim."