100 vjet e drejtë e votës në Gjermani - Lufta vazhdon
17 Janar 2019Asnjëherë më parë gratë nuk kanë qenë kaq të arsimuara sa sot. Në disa lëndë madje vajzat i kanë lënë pas prej kohësh djemtë. Megjithatë burrat marrin gjithmonë postet më të mira në ekonomi dhe politikë. Në parlamentin gjerman, pjesëmarrja e grave në këtë legjislaturë është më ulta prej 20 vjetësh. E drejta për barazi mbetet një "detyrë e vazhdueshme", thotë edhe kancelarja, Angela Merkel, e me këtë i jep një dëftesë mesatare edhe vetë qeverisjes së saj 13 vjeçare.
Nuk u dëgjuan fjalë të pushtetit nga Angela Merkeli
Vërtet zgjedhja e Merkelit si kancelare shenjoi një ndryshim epokal në Gjermani, vërtet që në ambientin e saj të drejtpërdrejtë, Merkeli i ka mbështetur gratë, njërën prej tyre madje e bëri ministren e parë të Mbrojtjes në Gjermani. Po, ajo nuk ka lejuar t'ia marrë kush bukën nga dora, qoftë ky Gerhard Schröder, Vladimir Putin apo Donald Trump.
Por në çështjen e politikës ndaj gruas, Merkel nuk ka folur asnjëherë një fjalë të pushtetshme, dhe priti një kohë shumë shumë të gjatë derisa pranoi që detyrimi vullnetar të kalonte në kuota të detyrueshme për postet që duhet t'u jepen femrave në ekonomi e në partinë e vet. Kjo parti e sheh tani kancelaren si shumë burrërore, partisë po i ikin votueset femra dhe shihet nevoja e kundërveprimit.
Më në fund! Politika për gruan si pasion ka një pamje tjetër. Ka shumë për të bërë në Gjermani. Ky vend ka nevojë për sistem të ri tatimesh, një që nuk të mbështet kur fiton pak apo kur qëndron në shtëpi. Një front tjetër është edhe pabarazia në rroga mes burrave e grave, që në Gjermani është ndër më të lartat në vendet e BE-së. Po ashtu mund të futen modele të job-sharing- ndarjes së postit në pozicione të larta, shkollat me kujdes për fëmijët edhe pas mësimit duhet të shtrihen në të gjithë Gjermaninë - lista është e gjatë.
Gratë duhet të thonë fjalën e tyre
Që këto të realizohen duhen gra që thonë fjalën e tyre në politikë, që veprojnë, që kthehen në modele. Kjo është e lodhshme dhe nuk është e mundur të bëhet pa aleatë - burra si bashkëshorti i Sekretares së Përgjithshme të CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. Ai ka dorëzuar profesionin, që gruaja e tij të vazhdojë karrierën politike. Hapini sytë tek zgjedhja e partnerit- kjo është një këshillë që grave nuk u thuhet aq shpesh.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në shtëpi qëndruan më shumë gra se sa burra. Por të mos votosh nuk është alternativa e duhur. Votueset duhet të jenë të bindura për pushtetin që kanë e ta përdorin atë. Ato duhet t'i tregojnë kartonin e kuq klaneve të burrave në politikë. Ato duhet të japin votën për ato gra e burra që nuk ndjekin një politikë "mjaft më", por një politikë që i merr seriozisht problemet e tyre e do t'i zgjidhë ato.
Politika ndaj gruas është edhe politikë e burrave
E në fund... burrat vetë duhet ta kuptojnë, se politika ndaj gruas është edhe një çështje që i prek edhe ata. Për shembull tregu i punës: Nga viti 2019 në firmat e mëdha në Gjermani ekziston mundësia ligjore për t'u kthyer për të punuar me orar të plotë pas punës me orar të reduktuar. Kjo u mundëson edhe burrave modele fleksibël të punës, një revolucion i vogël për shumë familje.
Për sferën e politikës ky revolucion ka filluar para 100 vjetësh, me të drejtën aktive e pasive për të votuar. Mesazhi i tij si atëherë e si sot është: Një parlament, ku gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet nuk reflekton shoqërinë, dhe humbet kështu legjitimitetin. Kjo e dëmton demokracinë. Sidomos në kohët, kur ajo po sulmohet kaq shumë.