1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

116 - Linjë kombëtare e telefonit për fëmijë

25 Shtator 2009

Që prej 4 muajsh në Shqipëri funksionon një Linjë kombëtare e telefonit për fëmijë. Ky është një lloj shërbimi i kualifikuar për të informuar, këshilluar dhe trajtuar problemet që kanë të miturit.

https://p.dw.com/p/JovX
Fëmijë shkolle në Tiranë.
Linja kombëtare e telefonit për fëmijë është një numër i thjeshtë, 116.Fotografi: DW / Aida Cama

Linja kombëtare e telefonit për fëmijë është një numër i thjeshtë, 116, të cilin falas mund ta thërrasësh nga çdo telefon celular. Pritësit e telefonatave janë një ekip prej 10 specialistësh të fushës së punës sociale dhe të psikologjisë. Djem dhe vajza që jo vetëm kanë diplomë universiteti, por i janë nënshtruar dhe disa kualifikimeve të profilizuara në Shqipëri e Greqi. Ata janë të ndarë në tre grupe duke mbuluar 24 orët e ditës, në pritje të të telefonatave të fëmijëve nga çdo pjesë e vendit.

Rezi është njera prej operatoreve që punon qysh prej ditës së parë të funksionimit të Linjës. Ajo tregon se synimi është që çdo fëmije t`i jepet një shërbim sa më efikas. I ofrohet informim, këshillim, ndihmë urgjente dhe referim sipas vlerësimeve të çdo rasti konkret, thotë ajo për DW. “Normalisht ne kemi një klasifikim të telefonatave. Kemi telefonata informuese, pra kur fëmijët kërkojnë informacion. Kjo kohët e fundit është rritur shumë. Por është rritur dhe numri i telefonatave për trajtim, sepse konkretisht kjo Linjë këtë ofron: këshillim dhe trajtim”.

Altin Hazizaj
Drejtuesi i Qëndrës, av. Altin Hazizaj, thotë për DW se problematika që mbërrin në Linjën 116 është gjithëfarë.Fotografi: Altin Azizaj

Linja kombëtare e telefonit për fëmijë është një praktikë që aplikohet në shumicën e vendeve europiane. Në Shqipëri ajo nisi nga puna rreth 4 muaj më parë, në një ditë simbolike për fëmijët, më1 qershor. Është fryt i bashkëpunimit mes Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA me UNICEF-in.

Drejtuesi i Qëndrës, av. Altin Hazizaj, thotë për DW se problematika që mbërrin në Linjën 116 është gjithëfarë. Ajo ka të bëjë me ndjesitë dhe emocionet e një moshe mjaft delikate. Sipas tij, në pjesën më të mirë ata kërkojnë një shërbim social e shëndetësor. “Ka probleme sa i takon ndihmës ekonomike. Ka fëmijë që jetojnë në zona të varfëra, në zona të margjinalizuara. Nuk janë të rregjistruar dhe si rrjedhim ata nuk përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, as nga ato sociale e ekonomike. Del e nevojshme që ne të koordinohemi, dhe këtë kemi bërë gjatë këtyre muajve, me institucionet shtetërore në nivel lokal, për të bërë të mundur rregjistrimin e fëmijëve. Ose për të mundësuar që ata fëmijë që duhet përfitojnë ndihmën ekonomike nga qeveria, megjithëse kjo është e vogël, ta marrin atë”.

Rezi, operatorja e Linjës plotëson se temat që fëmijët artikulojnë në telefon kanë një lloj ndarje në bazë dhe të grupmoshave. “Fëmijët që janë të vegjël zakonisht më shumë marrin për të përshënndetur, për të dëgjuar zërin, ndonjëherë edhe për të shprehur ndonjë pakënaqësi a ankesë. Më shumë kjo për marëdhëniet me mësuesit. Kurse më të rriturit janë më shumë të fokusuar tek marrëdhëniet me prindërit. Nuk i lënë të dalin, d.mth., nuk i japin kohën e mjaftueshme që ata kërkojnë. Sepse dihet që në periudhën e adoshelencës është “kriza” e pyetjes kush jam unë. Dhe kjo shpesh ka dilema të shumta, lëkundje emocionale që kanë këta të rinj etj”.

Logo e UNICEF.
Linja kombëtare e telefonit për fëmijë është fryt i bashkëpunimit mes Qëndrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA me UNICEF-in.Fotografi: AP

Dy javët e fundit që ka nisur viti shkollor në sistemin parauniversitar ka rikthyer ngritjen e problemeve në marrëdhëniet mes nxënësve dhe mësuesve. “Tani që ka filluar shkolla ne kemi parë se ka raportime për dhunën në këto mjedise. Ka raste të braktisjes së shkollës, nga mosrregjistrimi ose që kanë problem me mësues të caktuar. Ata kërkojnë ndihmën tonë, por ne jo gjithmonë jemi të aftë për këtë. Ne nuk kemi prezencë në çdo qytet e çdo fshat, në çdo qelizë të shoqërisë në Shqipëri. Ndonjëherë dhe e kemi të vështirë që t`i zgjidhim problemet e fëmijëve. Por duke patur parasysh që misioni i Linjës është që t`i këshillojë fëmijët ne jemi munduar vërtet që t`i ndihmojmë ata për të gjetur elemente pozitive të komunikimit me mësuesit. Por dhe elementë në komunikimin që ata kanë me vetë prindërit. Sepse dhe rastet e abuzimit me fëmijët brenda familjes janë sërish goxha të larta”, thotë për DW av. Altin Hazizaj.

Linja kombëtare e telefonit për fëmijë merr mesatarisht 12 mijë thirrje për çdo muaj. Synimi i kujdestarëve të saj është që në të ardhmen të sigurohet aksesi jo vetëm nga telefonat mobilë, por dhe ata fiksë. Duke lehtësuar shërbimin dhe për ata që e kanë të pamundur përdorimin e celularit. Duke zgjeruar më tepër numrin e të miturve që duan ndihmë a sqarim për një problem që hasin në jetën e përditshme.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama