1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250 euro pension për viktimat e dikaturës komuniste në ish-RDGJ, por ...

Bernd Gräßler2 Mars 2007

Ata që kanë vuajtur më tepër se gjashtë muaj burg në ish-RDGJ mund të përfitojnë në të ardhmen një pension viktimash. Partitë e koalicionit qeveritar hodhën për diskutim në parlament idenë që ky pension të jetë 250 euro. Në këtë mënyrë plotësohet 15 vjet pas bashkimit të Gjermanisë një kërkesë e viktimave të dikaturës komuniste në ish-RDGJ. Por ata që mund të përfitonin prej këtij pensioni reaguan me protesta.

https://p.dw.com/p/AqxP

"Ky pension është i padenjë dhe i pamoralshëm" - shkruhet në një pllakatë të demonstruesve në lidhje me propozimin e koalicionit qeveritar për pensionin për viktimat. Sipas koalicionit qeveritar pagesa e këtij pensioni varet prej të ardhurave personale. Personat që jetojnë vetëm e përfitojnë këtë pension special vetëm në rast se të ardhurat e tyre janë nën 1.035 euro, kurse të martuarit në rast se të ardhurat e tyre janë rreth 1.300 euro.

"Unë nuk mund t'ju them tamam nëse vetë jam i prekur prej këtij rregulli, por pavarësisht prej kësaj është një padrejtësi e jashtëzakonshme, që pagesa e këtij pensioni varet prej nevojave financiare." - thotë Hugo Diedrich, i Bashkimit të Viktimave të Stalinizmit. Ata kërkojnë një pension nderi, një pension të njëjtë me atë të viktimave të nacional-socializimit, i cili jo vetëm që është tri herë më i lartë por edhe që u paguhet viktimave pavarësisht nga të ardhurat e tyre.

Kushtet me të cilat lidhet ky lloj pensioni, pra nga gjashtë muaj e lart burg dhe të ardhurat aktuale, bëjnë që prej tij të mos përfitojnë shumë viktima të diktaturës së proletariatit në ish-RDGJ. Sipas përllogaritjeve mendohet se prej këtij pensioni do të përfitojnë rreth 16.000 vetë. Hugo Dietrich thotë se numri i viktimave është shumë më i madh.

"Javën e kaluar u takova me një zonjë, e cila ka kaluar 16 vjet në burg në ish-RDGJ. Tani ajo është rehabilituar, por në rast se të ardhurat e saj sot i kalojnë 1.035 eurot, ajo nuk përfiton asgjë."

Pakënaqësia e viktimave lidhet edhe me një fakt tjetër. Ish-funksionarët e regjimit të RDGJ-së apo punonjësit e Sigurimit të Shtetit, Stasi, gëzojnë pensione të larta, sepse Gjykata e Lartë Gjermane i ka konsideruar të mirëqëna pretendimet e posaçme të tyre që lidheshim me këto poste.

Politikani social-demokrat Meckel, dikur vetë politikan opozitar në ish-RDGJ, i del në mbrojtje këtij propozimi.

"Unë mendoj se kjo për të cilën po vendosim, përbën një përparim të madh kundrejt ligjeve që janë sot në fuqi."

Sipas tyre të burgosurit politikë përfitonin një herë, një dëmshpërblim prej 300 eurosh për çdo muaj që kishin vuajtuar dënim me heqje lirie. Po ashtu ata përfitojnë edhe prej masave të rehabilitimit.

Tani i mbet Bundestagut të vendosë se si do të jetë pensioni i viktimave. Sinjali i shoqatave e të përndjekurve politikë ishte i qartë, ato nuk e kuptojnë sesi ky ligj mund të jetë një nderim për kurajon civile nën diktaturën e ish-RDGJ-së.