3G në punë: a funksionojnë rregullat e reja?
30 Nëntor 202110.000 punonjës, më pak se 20 për qind e të cilëve punojnë nga shtëpia: kjo krijon radhë të gjata para dyerve të kompanisë, mendohej në Parkun Limik Marl pak para futjes së detyrimit 3G në vendin e punës. Gjithashtu për shkak të mungesës së mundësive të testimit.
Që nga 24 nëntori, domethënë prej rreth një jave, 3G është i detyrueshëm në vendin e punës në Gjermani. Kjo do të thotë që punonjësit duhet të vaksinohen, testohen ose shërohen përpara se të fillojnë punën. Edhe eprorët duhet të respektojnë gjithashtu rregullat 3G. Për më tepër, punëdhënësit duhet të monitorojnë respektimin e këtyre rregullave. Punonjësit që punojnë nga shtëpia nuk i nënshtrohen kësaj rregulloreje.
Rregullat 3G në vendin e punës u priten shumë mirë nga popullata. Sondazhet e fundit tregojnë se një shumicë dërrmuese jep mbështetje që personat e pavaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar Covid-19 të paraqesin një test negativ për koronan çdo ditë në vendin e tyre të punës. Shumë pak njerëz e kundërshtojnë atë.
Zbatim në masë të madhe pa probleme
Në Parkun Kimik Marl, fokusi është tani në regjistrimin e informacionit mbi statusin e vaksinimit në lejehyrjet e sipërmarrjes, duke siguruar kështu që shumica dërrmuese e njerëzve të vaksinuar ose të shëruar të kenë akses pa probleme në vendin e punës. Ata që nuk janë vaksinuar ose shëruar duhet të japin prova zyrtare të testimit. Ky sistem funksionon në Marl. "Nuk ka pasur asnjë radhë, ose të paktën asnjë radhë veçanërisht të gjatë," tregon zëdhënësja e shtypit Alexandra Boy.
Edhe në kompanitë e vogla, si në një thertore e vogël në Këln me pesë punonjës, kontrolli funksionon pa probleme, sepse të gjithë punonjësit janë të vaksinuar.
Modele të ndryshme regjistrimi
Në Bayer AG në Leverkusen, rregulli 3G në vendin e punës zbatohet nga i ashtuquajturi "modeli i eprorëve". Kjo do të thotë që punonjësit duhet të paraqesin vetëm një herë një çertifikatë vaksinimi ose kurimi tek eprori i tyre.
Punonjësit që nuk janë vaksinuar ose shëruar, ose që nuk dëshirojnë të komunikojnë statusin e tyre të vaksinimit, duhet të paraqesin një test negativ për koronan çdo ditë në Bayer. Kjo duhet të kryhet nën mbikëqyrje, si për shembull testi i qytetarëve. Gjithashtu, testi nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë.
Ata që nuk kanë bërë testin si qytetarë mund të testohen gjithashtu deri në katër herë në javë në lokacionin e Bayer në Leverkusen, në stacionin e testimit të kompanisë. Megjithatë, për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit në mesin e punonjësve, kërkesa është e kufizuar, shpjegon zëdhënësi Markus Siebenmorgen. Të hënën, atje u testuan vetëm pesë punonjës. Volkswagen gjithashtu ka rregulla të ngjashme aksesi.
Madje në kompaninë farmaceutike dhe kimike Merck në Darmstadt ekziston një aplikacion i veçantë për regjistrimin e statusit 3G të punonjësve. Në territorin e kompanisë mund të hyjnë vetë ata që kanë ngarkuar dëshmitë e tyre në aplikacion.
Paralajmërim kundër testeve vetjake nën mbikëqyrjen dixhitale
Punëdhënësit që deri tani kanë pranuar një fotografi ose video të testimit vetjak në shtëpi si dëshmi të testimit duhet të jenë të kujdesshëm. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron shprehimisht kundër testeve vetjake nën mbikëqyrjen digjitale.
Në rast të kontrollit prej autoriteteve ose nga Zyra e Shëndetit Publik, kjo do të ishte një shkelje e dënueshme me gjobë. Dëshmi sipas kësaj lejohet të japin vetëm qendrat e testimit ose punëdhënësit që janë regjistruar për testimin e punonjësve.
aud (tgsch, dpa)