1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

47 policë të lënduar në protestat e Shkupit

6 Korrik 2022

Shkallëzohen protestat kundër propozimit francez në Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel shpreh mbështetjen e BE për propozimin që zhbllokon negociatat.

https://p.dw.com/p/4DjQU
Nordmazedonien: Proteste in Skopje
Fotografi: Arbnora Memeti/DW

Në ditën e katërt të protestave kundër propozimit të ri francez për heqjen e vetos bullgare për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në protestat në këtë vend janë shkallëzuar. Nga përballja e protestuesve me policinë kanë mbetur të lënduar 47 policë, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Në godinat e Parlamentit, Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme janë thyer shumë dritare dhe është dëmtuar fasada. Gjatë protestës policia ka ndaluar disa protestues, nuk dihet numri i saktë i të ndaluarve.

Kovaçevski: Nuk do të lejojmë të na përsëritet 27 prilli

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski vlerëson, se dhuna e shprehur para institucioneve të shtetit nuk është fytyra e vërtet e Maqedonisë evropiane, e një vendi anëtar i NATO-s. Edhe pse protestat janë një e drejtë demokratitke për një qytetar, dhuna e shprehur në to nuk mund të arsyetohet. "Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje e asnjë problemi. Manipulantëve dhe shfrytëzuezve të njerëzve për t'i plotësuar apetitet e tyre politike u them, mos keqpërdorni të rinjtë në protesta të dhunshme. 27 prilli nuk do të përsëritet ", ka deklaruar Kovaçevski.

Proteste in Nordmazedonien
Fotografi: Furkan Abdula/AA/picture alliance

LSDM dhe BDI: Nuk do të tolerojmë destabilizimin e vendit

LSDM, partia në pushtet akuzon opozitën për protestat e dhunshme duke vlerësuar se VMRO-DPMNE dhe E Majta po mundohen me çdo kusht të destabilizojnë shtetin, të pengojnë procesin e integrimeve evropiane, duke punuar për interesa të të tjerëve. "Institucionet dhe qytetarët nuk do të lejojnë sjelljen destruktive të VMRO-DPMNE-së dhe Të majtës të kërcënojnë të ardhmen evropiane të shtetit, nuk do të lejojnë që shoqëria të kthehet në izolim dhe ndarje”, thuhet në njoftimin e LSDM-së. Edhe partia shqiptare në pushtet BDI dënoi ashpër dhunën dhe incidentet antievropiane që ndodhën në protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE dhe E Majta para Kuvendit dhe Qeverisë.

"Në momentet vendimtare për vendin, në momentet kur po shkruhet historia dhe po hidhen themelet e rrugës europiane  nuk duhet të lejohet të devijojmë nga rruga e miqësisë euro-amerikane dhe integrimi evropian në asnjë moment”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nordmazedonien: Proteste in Skopje
Fotografi: Arbnora Memeti/DW

Charles Michel : I thoni Po ardhmërisë suaj

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel gjatë qëndrimit në Shkup ka shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj dokumentit francez për zhbllokimin e vetos bullgare. "Me propozimin francez qartë diskutojmë për gjuhën maqedonase, ajo është gjuhë e juaja dhe propozimi e respekton këtë”, është shprehur Charles Michel. Ai ka nënvizuar se nëse Maqedonia e Veriut ka mundësinë historike që t'i thotë "Po” propozimit francez, me këtë i thotë ‘Po' fillimit të negociatave, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së fëmijëve.

"Kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, ka theksuar Michel.

Nordmazedonien | Dimitar Kovacevski und Charles Michel
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Në Shkup qëndron të mërkurën edhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perendimor i Gjermanisë, Manuel Sarrazin. Në fokusin e bisedimeve me autoritetet në Shkup do të jetë propozimi francez dhe proceset eurointeegruese te Maqedonisë së Veriut.