1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do ta qetesojë një ligj i posaçëm debatin për rrethprerjen?

Ole Kämper/Angjelina Verbica9 Tetor 2012

Qeveria gjermane do të legalizojë përmes një ligji rrethprerjet e djemve jo të domosdoshme nga ana mjekësore, për t'i dhënë fund debateve të nxehta. Por për mbrojtësit e fëmijëve debati sapo ka nisur.

https://p.dw.com/p/16MU9
Fotografi: picture-alliance/dpa

Bëhet fjalë për tradita fetare, për konsiderata mjekësore, vlerësime ligjore dhe ndjeshmëri politike. Debati mbi synetin e djemve është i shumëanshëm. "Aty përplasen me njëra-tjetërn shumë të drejta themelore, që e bëjnë tejet të vështirë diskutimin", thotë Christian Zainhofer, anëtar i kryesisë së Shoqatës gjermane për Mbrojtjen e Fëmijëve. Pikërisht për këtë arsye ai e konsideron një kompromis të arrirë projektligjin për legalizimin e rrethprerjes së djemve, në rastet kur nuk është e domosdoshme nga ana mjekesore, që do të paraqitet nga qeveria gjermane të mërkurën me 10.10.2012 në Berlin. Nga shoqatat mjekësore vazhdon të vijë rezistencë.

Qeveria gjermane do që ta lejojë synetin

Në maj të këtij viti gjykata e landit në Këln dënoi rrethprerjen e një djali të vogël si lëndim trupor. Hebrejtë dhe muslimanët e konsideruan këtë kufizim të lirisë fetare. Një rregullim ligjor u bë i nevojshëm. Projektligji i ministrisë së Drejtësisë parashikon, që bërja synet e djemve në Gjermani në të ardhmen do të jetë legale edhe atëherë, kur nuk është e nevojshme nga ana mjekësore. Por kushti për rregullin e ri duhet të jetë, që ndërhyrja të bëhet sipas rregullave të artit mjekësor." Në gjashtë muajt e parë pas lindjes së fëmijës rrethprerja mund të kryhet edhe nga përfaqësues të kualifikuar fetarë. Ky rregull i veçantë është një lëshim për traditën hebreje, sipas së cilës djemtë në ditën e tetë të jetës duhet të rrethpriten nga një person i caktuar për këtë rit, që quhet Mohel. Tek muslimanët si rregull syneti bëhet pas disa vjetësh dhe nga një mjek specialist.

Debati zhvillohet për rrethprerjen e fëmijëve të vegjël
Debati zhvillohet për rrethprerjen e fëmijëve të vegjëlFotografi: dapd

Shoqata gjermane për kirurgjinë e fëmijëve i bën rezistencë këtij rregulli të posaçëm dhe kujtojnë se vetëm mjekët specialistë mund të garantojnë një ndërhyrje pa dhimbje, siç kërkohet në projektligj. Specialistët nuk e kanë fjalën vetëm për zbatimin në mënyrën e duhur të rrethprerjes. Ata dënojnë parimisht si gjymtim prerjen e lafshës së penisit pa arsye mjekësore për motive thjesht fetare, apo tradicionale. Hebrejtë dhe muslimanët shohin te rrethprerja një pjesë themelore të besimit të tyre. Shoqata gjermane për kirurgjinë e fëmijëve paralajmëron nga rreziku që mund të sjellë ndalimi. Atëherë do të ekzistonte si rreziku i kryerjes së ritit jashtë vendi, ashtu edhe i operacioneve në kushte të papërshtatshme, thotë Christian Zainhofer i Shoqatës gjermane për kirurgjinë e fëmijëve në bisedë me Deutsche Wellen. "Ju del një problem, sepse mund të rrezikoni rëndë fëmijën."

Pa dobi nga ana mjekësore

Por rrethprerja nuk është vetëm çështje e hebrenjve dhe myslimanëve. Edhe në qoftë se nuk merren parasysh këto grupe fetare, një në dhjetë djem rrethpriten në Gjermani, thotë kirurgu pediatër Maximilian Stehr në intervistë me DW. Ai merret intensivisht në ketë temë prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në më shumë se gjysmën e djemve të bërë synet jo nga motive fetare nuk është e nevojshme ndërhyrja mjekësore. Ajo kryhet në përgjithësi për shkak të ngushtimit të lëkurës. Megjithatë në vitet e para të jetës ky problem zgjidhet kryesisht vetiu. Shpesh përdorimi i një pomade mund të jetë zgjidhja.

Beschneidung
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rrethprerja, që mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për parandalimin e HIV dhe sëmundjeve të tjera, që transmetohen seksualisht, mund të jetë ndoshta e dobishme edhe në Gjermani, thotë Stehr. Masat megjithatë kanë parasysh djemtë, që janë ndërkohë seksualisht aktivë. Për të sapolindurit dhe djemtë nën moshën14 vjeçare, për të cilët bëhet fjalë në debatin e tanishëm, këto vlerësime nuk janë relevante. "Kjo vjen në një periudhë më të vonë," thotë Stehr "dhe atëherë mund të flitet për këtë dhe pastaj djali mund të vendosë vetë."

Shoqata për mbrojtjen e fëmijëve kërkon që të debatohet për rrethprerjen

Edhe Shoqata gjermane për Mbrojtjen e Fëmijëve e konsideron të arsyeshme, që vendimi të lihet që të merret nga vetë pala e interesuar në kohën e duhur. "Ne duam një diskutim rreth çështjes, nëse ekziston një mundësi, për të dalë në përgjithësi nga riti i rrethprerjes, sepse ne jemi të mendimit, se këto janë ndërhyrje në trup, që duhet të evitoheshin", shpjegon Christian Zainhofer. Nga ana tjetër bëhet fjalë për një traditë 4000 vjeçare. "Ne kemi besim se prindërit, të cilët lejojnë të kryhet rrethprerja, e marrin këtë vendim me përgjegjësi." Veçanërisht të rëndësishëm janë në këtë kontekst dialogu me prindërit dhe informacioni i plotë mbi nevojën dhe rreziqet e rrethprerjes", thekson Zainhofer.

Maximilian Stehr, kirurg pediatër në klinikën universitare në Mynih
Maximilian Stehr, kirurg pediatër në klinikën universitare në MynihFotografi: Klinikum der Universität München, M. Woelke

Debati ështe nxehur javët e fundit. Kundërshtarët e rrethprerjes i quajtën hebrenjtë dhe myslimanët barbarë, disa rabinë iu përgjigjën me një krahasim me regjimin nazist. Me projektligjin duhet të rivendosej në fakt qetësia. Por reagimet e udhëheqësve fetarë, politikanëve, mbrojtësve të fëmijëve, mjekëve dhe juristëve të lënë të kuptosh, se diskutimet nuk do të shuhen kaq shpejt.