1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të kemi zgjedhje të parakohshme në Gjermani?

21 Shkurt 2020

A duhet të jetë kryetari i ri i CDU-së edhe kancelar? Vendimi për këtë dilemë do të ndikojë jetëgjatësinë e qeverisë gjermane, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/3Y99Y
CDU Krise Richtungsstreit Symbobild
Fotografi: Getty Images/M. Hitij

Në garën për kryesimin e CDU-së janë shtuar kandidatët. Veç Friedrich Merz-it dhe Jens Spahn-it, që qenë kandidatë edhe një vit e gjysmë më parë, por humbën përballë kryetares në largim, Annegret Kramp-Karrenbauer(e njohur edhe si AKK), kemi dy kandidatë të rinj: Armin Laschet-in, kryeministrin e landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë dhe Norbert Röttgen-in, ish-ministrin e Ambjentit të Gjermanisë.

Norbert Röttgen-i e shpalli të martën kandidaturën dhe la përshtypje të mirë në opinion. Foli me vetëbesim dhe kërkoi "hapjen e dritareve" të reja për partinë. Nuk është person që fiton zemrat e njerëzve, por ka padyshim format për kryetar partie dhe kancelar, di të argumentojë mirë, qenë disa nga vlerësimet.

Njëkohësisht, disa ekspertë dhe disa kritikë të kancelares Merkel  kërkojnë që ajo të largohet nga posti para përfundimit të mandatit, në vjeshtë 2021. Si argument përmendet rrethana që eksperimenti i ndarjes së postit të kryetarit të CDU-së nga ai i kancelarit, i provuar me AKK, dështoi. Ndarja e këtyre posteve për CDU-në u përmend edhe nga Kramp Karrenbaueri në deklaratën e dorëheqjes, si faktor dobësimi për postin e saj. Njohës të CDU-së shprehën dyshim për ndarjen e posteve që në krye. Nga kampi kundërshtar, edhe ish-kancelari socialdemokrat, Gerhard Schröder e quajti gabim këtë ndarje, kur u vendos në vitin 2018. CDU-ja është një parti e orientuar te pushteti, tha ai.

Bashkëpunimi i kryetarit të ri me kancelaren - i sigurtë?

Nuk bëhet për herë të parë kërkesa që kancelarja Merkel të largohet para fundit të mandatit. Aktualisht thirrja merr shkas nga kërkimi i kryetarit të ri të CDU-së. Por nuk është e pazakontë që pas një qeverisjeje në vitin e 15-të nga kancelarja, të krijohet padurim. Në vitin 1998, në fund të qeverisjes së kancelarit Helmut Kohl, që qëndroi 16 vjet në post, ishte i njëjti padurim. Kohli shihej në fund si person që nuk hapte rrugë për të tjerë. "Fëmijët tanë nuk njohin kancelar tjetër që kur kanë lindur", ankoheshin disa gjermanë. Ndërsa Konrad Adenauerin, CDU-ja e detyroi në vitin 1963 - me marrëveshje me të - ta ndërpresë mandatin e katërt. Pas 14 vjetësh kancelar.

Gjermanët dëshirojnë një kryetar të ri të fortë të CDU-së, i cili do të jetë edhe kandidat për kancelar. Për CDU-në kjo duket e vështirë. Do të varet nga personi që do të zgjidhet kryetar i ri i CDU-së, nëse do të pranonte të bashkëpunonte me kancelaren deri në shtator 2021, kur janë zgjedhjet e rregullta parlamentare në Gjermani.

Angela Merkel dhe Armin Laschet
Angela Merkel dhe Armin Laschet Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Krick

Si Friedrich Merz-i, që po rikthehet nga biznesi privat në politikë, ashtu edhe Röttgeni, janë persona që Merkeli i ka larguar nga postet në të kaluarën. Ndaj një kohabitacion i tyre me kancelaren shihet i vështirë. Edhe Jens Spahn-i, ministri aktual i Shëndetësisë i Gjermanisë, shquhej më parë për sulme ndaj kancelares.

Kështu që në gjendjen e tanishme, më shumë gjasa që Merkeli të mbetet kancelare deri në vjeshtë mot, ka po të zgjidhet kryetar i CDU-së besniku i saj, Armin Lascheti. Laschet-i (që nuk e ka deklaruar ende zyrtarisht kandidaturën) shihet momentalisht me shanse më të mira për t'u zgjedhur, pasi në parti mbështetësit e krahut të Merkelit janë ende të shumtë.

Merkeli shumë e preferuar nga gjermanët

Pro qëndrimit të Angela Merkelit deri në fund të mandatit kancelare flet rrethana se ajo vazhdon të jetë shumë e preferuar në popull. Dy të tretat e gjermanëve duan që Angela Merkeli të qëndrojë në post. Madje në situatën aktuale, tek CDU-ja dhe në zhvillimet pas zgjedhjeve në Tyringen, në lindje të Gjermanisë, Angela Merkel shihet si garante e sigurtë e stabilitetit të Gjermanisë.

A mund ta detyrojnë kancelaren Merkel të japë dorëheqjen kundër dëshirës së saj?  Për këtë nuk ka gjasa. Kushtetuta gjermane e mbron fort pozicionin e kancelarit. Një kancelar mund ta largojnë nga posti vetëm me një votë konstruktive mosbesimi. D.m.th., parlamenti duhet të zgjedhë menjëherë me dy të tretat një kancelar të ri. Kjo shumicë për momentin nuk ekziston në Bundestag.

Madje SPD-ja, në koalicion me CDU-në në Berlin ka thënë se nëse largohet Merkeli, ata nuk mbështesin kandidat tjetër. Kryetarët e rinj të socialdemokratëve që kur u zgjodhën në dhjetor 2019 e shohin në mënyrë kritike bashkëqeverisjen me CDU/CSU, pasi mendojnë që i dëmton. Nuk e kanë ndërprerë këtë bashkëqeverisje, por kanë shprehur shqetësimin për drejtimin ideologjik që mund të marrë CDU-ja. Me këtë kanë parasysh theksimin e aspekteve konservatore, p.sh. po të zgjidhet Friedrich Merz-i.

Por edhe në rastin e prishjes së koalicionit CDU/CSU me socialdemokratët, të gatshëm të hyjnë në të duken Të Gjelbrit. Pra, po të mos dëshirojë të largohet vetë nga posti kancelarja Merkel, mundësia e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Gjermani është e vogël.