1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të stacionojë NATO-ja armë bërthamore në Poloni?

24 Prill 2024

Presidenti i Polonisë Duda ka sugjeruar stacionimin e armëve bërthamore të aleatëve të NATO-s në vendin e tij. Por sipas ekspertëve armë të tilla nuk do të vendosen në Poloni në një të ardhme të afërt.

https://p.dw.com/p/4f6vr
Presidenti polak Duda duke folur në një takim të NATO-s
Presidenti polak Duda duke folur në një takim të NATO-sFotografi: MANDEL NGAN/AFP

Sipas presidentit, Andrzej Duda, Polonia është e gatshme që të stacionojnë në territorin e vendit armë bërthamore për të frikësuar Rusinë. Nëse aleatët e NATO-s e kërkojnë këtë, Polonia mund të forcojë në këtë mënyrë krahun lindor të aleancës, tha Duda në një intervistë për gazetën "Fakt”.

Rusia "ka nisur të stacionojë kohët e fundit armët e saj bërthamore në Bjellorusi," tha Duda, duke iu referuar një njoftimi të bërë në dhjetor nga presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko.

Duda: Ne jemi gati

Nëse aleatët e NATO-s do të marrin vendim për të vendosur armë bërthamore në territorin tonë për të forcuar krahun lindor të NATO-s, ne jemi gati, tha Duda, duke shtuar se Polonia është e vetëdijshme për detyrimet e saj brenda aleancës ushtarake.

Presidenti plak Duda: Ne jemi gati
Presidenti plak Duda: Ne jemi gatiFotografi: Dominika Zarzycka/NurPhoto/picture alliance

Kryeministri polak Donald Tusk u tha gazetarëve duhet të bisedojë urgjentisht për këtë propozimi me presidentin Duda, sepse "kjo ide është shumë masive dhe shumë serioze dhe unë duhet të di të gjitha rrethanat që e shtynë Presidentin ta bëjë këtë deklaratë."

Qeveria gjermane reagon pozitivisht

Qeveria gjermane tha se oferta e Polonisë pritet në përgjithësi pozitivisht. "Në thelb, ne sigurisht jemi shumë të kënaqur me rolin që Polonia luan brenda Bashkimit Evropian ose brenda NATO-s. Qeveria gjermane e vlerëson vërtet që Polonia po angazhohet me kontribut kaq të fortë në këtë drejtim" - tha në Berlin zëvendëszëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann. Kurse zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, Arne Collatz shtoi: Sa më shumë dhe sa më afër të punojmë së bashku, aq më mirë është për të gjithë aleancën.

Armë bërthamore
Armë bërthamoreFotografi: imago images/Cover-Images

"Qeveria polake ka prej kohësh një dëshirë të qartë për të qenë pjesë e trupës bërthamore," shpjegon Ulrich Kühn, drejtues i sektorit kërkimor "Kontrolli i Armëve dhe Teknologjitë e Reja" pranë Institutit për Kërkimet për Paqen dhe Politikën e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut (IFSH). ). Nga njëra anë, Polonia dëshiron të frikësojë Rusinë, por nga ana tjetër, një angazhim i tillë i shërben edhe sigurisë e vendit. Por pavarësisht fjalëve dashamirëse nga Berlini, Kühn nuk beson se armët bërthamore të NATO-s do të vendosen në Poloni në një të ardhme të afërt.

Rusia kërcënon me kundërmasa

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha lidhur me stacionimin e mundshëm të armëve bërthamore në Poloni se: "Përfaqësuesit ushtarakë rusë sigurisht që do të analizojnë situatën dhe si përgjigje do të marrin patjetër të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë".