1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A kanë të drejtë çiftet me të njëtin seks të adaptojnë fëmijë?

1 Gusht 2009

Ndërsa Shqipëria është në fillimet e saj në lidhje me martesën e çifteve me të njëjtin seks, në Gjermani po diskutohet për të drejtën e çifteve homoseksualë dhe lezbikë për të adoptuar fëmijë.

https://p.dw.com/p/J1Xg
Një çift homoseksualësh puthen para Colesseumi-it në Romë
Një çift homoseksualësh duke u puthurFotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani ka vite që diskutohet në lidhje me të drejtën e çifteve homoseksualë dhe lezbikë për të adoptuar fëmijë. Pas një studimi të Universitetit të Bambergut, sipas të cilit fëmijët që rriten në familje që përbëhen prej çiftesh me të njëjtin seks nuk kanë asnjë pengesë në lidhje me zhvillimin e tyre në krahasim me familjet klasike, Ministrja federale e Drejtësisë Brigitte Zypries kërkon që Gjermania ta ratifikojë marrëveshjen që u lejon çifteve homoseksuale dhe lezbike adoptimin e fëmijëve. Politikanët e CDU/CSU dhe kisha katolike janë me forcë kundër një ideje të tillë.

Sipas një studimi të Universitetit të Bambergut fëmijët që i kanë të dy prindërit homoseksualë nuk kanë asnjë pengesë në lidhje me zhvillimin e tyre në krahasim me familjet klasike. Sipas studimit në fjalë shumica e çifteve me të njëjtin seks që kanë fëmijë janë çifte lezbikesh. Vetëm në 5,5% të rasteve prindërit ishin një çift homoseksualësh. Sipas vlerësimeve në Gjermani ka mbi 12.000 fëmijë që rriten në familje që përbëhen prej çiftesh me të njëjtin seks. Deri tani në Gjermani për çiftet me të njëjtin seks, lezbikë apo homoseksualë, ekziston ligjërisht vetëm mundësia e adoptimit të fëmijës prej partnerit tjetër vetëm në rast se fëmija i takon njërit prej bashkëshortëve, i cili e sjell atë me vete në martesë.

Rreth gjysma e fëmijëve që rriten në familje të përbëra prej çiftesh me të njëjtin seks kanë lindur prej një marrëdhënieje të mëparshme heteroseksuale të njërit prej prindërve, gjysma tjetër janë produkt i një shtazanie artificiale invitro. Në ndryshim nga martesat tradicionale, në rast se fëmija lind pas një shtazanie artificiale, nuk konsiderohet automatikisht si fëmija e të dy partnerëve të çiftit lezbik. Zyrtarisht si nënë njihet vetëm gruaja që e sjell fëmijën në jetë.

Megjithatë sipas studimit në fjalë, të cilin e prezantoi Ministrja federale e Drejtësisë Brigitte Zypries zhvillimi i personalitetit si dhe zhvillimi shkollor dhe profesional i fëmijëve të rritur në një familje, që përbëhet prej çiftesh me të njëjtin seks, apo si quhen në gjermanisht "familje ylber" është pozitiv:

"Studimi tregon se prindërit "ylber" janë po aq të mirë sa prindërit e tjerë, pra ata heteroseksualë, dhe se e rëndësishme është që të rriturit ta trajtojnë pozitivisht fëmijën. Unë mendoj se në rast se një fëmijë rritet keq në një familje heteroseksuale, sepse nuk e pranojnë, apo ndoshta edhe e rrahin, apo që në një formë a një tjetër rritet me deficite psiqike, atëhere një gjë e tillë është shumë më e keqe se sa kur një fëmijë rritet brenda një partneriteti tjetër."

Gjithësesi ministres iu desh të pranojë se fëmijët që rriten në familje që përbëhen prej çiftesh me të njëjtin seks përjetojnë aty-këtu diskriminim për shkak të orientimit seksual të prindërve, gjithsesi në formë përqeshjesh dhe sharjesh. Sidoqoftë falë sqarimit në familje këto përqeshje e sharje nuk kanë çuar në deficite në zhvillimin e fëmijëve. Po ashtu sa më tepër shoqëria bëhet e hapur ndaj faktit që ka edhe çifte homoseksualë me fëmijë, aq më të pakta bëhen edhe përqeshjet.

Sipas drejtores së Institutit për Studime për Familjen të Uni. Bambergut studimi i bazuar në anketimin e 1059 çifteve homoseksualë dhe lezbike me fëmijë tregoi se :

"Familjet ylber" karakterizohen nga një shkallë e lartë arsimimi. 58 % e partnerëve kanë kryer maturën dhe kanë kryer shkollime dhe kualifikime profesionale të larta. Kështu duke iu përgjigjur nivelit të arsimimit të prindërve edhe fëmijet që rriten në familje të tilla vazhdojnë shkollat e larta më shpesh se sa fëmijët që vijnë nga forma familjare të tjera."

Sipas ministres Zypries ky studim vërteton se edhe tipet e tjera të familjes mund të kenë një cilësi të arsyeshme. Për t'i dhënë fund diskrimit të çifteve homoseksuale ministrja mendon se edhe këtyre çifteve u duhet dhënë e drejta që të adoptojnë fëmijë.

"Marrëveshja evropiane për adoptimet e lejon një adoptim të përbashkët. Tani fëmijë mund të adoptojnë edhe çiftet homoseksualë. Dhe ka ardhur koha që edhe Gjermania ta nënshkruajë dhe ta ratifikojë këtë marrëveshje", theksoi ministrja.

Deri tani kjo marrëveshje është nënshkruar nga 11 prej gjithësej 47 shtete. Por ajo hyn në fuqi vetëm në rast se të paktën tri shtete e adoptojnë atë si pjesë të legjislacionit të tyre kombëtar.

Qëndrimin e ministeres social-demokrate Zypries e mbështesin Liberalët (FDP), ekologjistët dhe partia E Majta.

Kurse partnerët e koaliconit CDU/CSU bëjnë rezistencë. Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU- në Bundestag tha për gazetën Süddeutschen Zeitung (25.7.), „se këtu është fjala vetëm që homoseksualët dhe lezbiket ta ndjejnë veten të realizuar dhe jo për të mirën e fëmijëve. Një e drejtë e plotë për adoptim do të ishte në kundërshtim me interesat e fëmijëve."

Adoptimin e fëmijëve prej çifteve me seks të njëjtë e hedh poshtë edhe kisha katolike. Sipas saj një gjë e tillë gropos vlerën e martesës dhe pengon mirëqënien e fëmijës.

Autor: Sabine Ripperger/ Pandeli Pani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi