1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel-Macron do të shpëtohet marrëveshja atomike me Iranin?

Michael Knigge
24 Prill 2018

Përmes bisedimeve të veçanta me presidentin Trump, këtë javë si presidenti Emannuel Macron dhe Angela Merkel duan të bindin SHBA për të mos e prishur marrëveshjen atomike me Iranin. Perspektivat janë të zymta.

https://p.dw.com/p/2wVFY
G20-Gipfel - Erste Arbeitssitzung
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP/J. Macdougall

Kur presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel ta takojnë veçmas presidentin amerikan këto ditë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë duhet thëse se kemi arritur nivelin më të lartë europian që tenton të bindë SHBA t'i mbetet besnike marrëveshjes bërthamore me Iranin. Presidenti Trump e ka damkosur atë si "marrëveshjen më të keqe të arritur ndonjëherë." Dhe ofensiva sharmante gjermano-franceze është përpjekja më e dukshme për ta ndalur administratën e Trump të largohet nga kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 2015. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Më parë janë zhvilluar dhe po zhvillohen negociata brenda të ashtuquajturit Grupi E3 - Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe si edhe Shtetet e Bashkuara për të arritur një kompromis që do të kënaqte kërkesat që presidenti ofroi si ultimatum në janar, kur zgjati lehtësimin e sanksioneve. Tani pak ditë para se Merkel dhe Macron të udhëtojnë në Uashington, një grup ligjvënësish europianë i dërguan javën e kaluar një letër kongresit amerikan, ku i kërkojnë të mbështesë "Joint Comprehensive Plan of Action", si është quajtur zyrtarisht marrëveshja atomike me Iranin. Por përpjekjet e orkestruara europiane, sipas diplomatëve në Uashington dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, mund të mos arrijnë të bindin presidentin Trump që përtej 12 majit, afati i fundit, që të zgjasë lehtësimet në sanksione kundër Iranit, një element kyç që kjo marrëveshje të vazhdojë të ekzistojë.

Perspektivë pesimiste

"Për fat të keq nuk njoh askënd në Shtetet e Bashkuara që është veçanërisht optimist se lehtësimet në sanksione do të miratohen sërish në kohën e duhur", thotë Laura Holgate që ka shërbyer si ambasadore e SHBA në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, IAEA, deri në ardhjen e presidentit Trump në detyrë në janar 2017.

Österreich Treffen Iran Atomabkommen in Wien
Takim në Vjenë për marrëveshjen atomike, mars 2018Fotografi: Irna

IAEA monitoron dhe verifikon nëse Irani i përmbahet marrëveshjes atomike. Kjo agjenci ka arritur në konkluzionin, se Irani i përmbush detyrimet e marrëveshjes. Richard Nephew, ekspert drejtues për negociatat me Teheranin nën administratën e Obamës dhe Elizabeth Rosenberg një eksperte tjetër në Departamentin e Thesarit për sanksionet ndajnë dyshimet e ekspertes Holgate rreth shanseve që SHBA t'i qëndrojë besnike marrëveshjes. "Jam shumë pesimist", thotë Nephew. "Kam qenë pesimist, që kur u zgjodh Donald Trump." Ndërsa Elizabeth Rosenberg thotë, se "ndjehet me shumë më pak shpresë, që administrata amerikane në fund të fundit do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj brenda marrëveshjes, për ta thënë ndryshe kam dyshime që SHBA do t'i qëndrojnë kësaj marrëveshjeje."

Ndërsa diplomatët europianë që nuk duan të përmenden me emër, kanë ende shpresë, se negociatorët do të gjejnë një bazë të përbashkët, por ata mbeten skeptikë, nëse kjo do t'i mjaftojë në fund presidentit Trump. Një diplomat thotë se ka shpresa që të negociohet një dokument i përbashkët, por as zyrtarët amerikanë nuk mund të thonë me siguri, nëse ai do të pranohet nga presidenti. Nga të tre kërkesat e presidentit Trump për të vazhduar lehtësimin e sanksioneve me Iranin - programi i raketave balistike të Teheranit, akces i zgjeruar i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike tek pajisjet e Iranit, më e vështira për të gjetur kompromisin paraqitet kërkesa e tretë, ose  të ashtuquajturat "sunset clauses" - klauzola që automatikisht shfuqizohen, po qe se nuk zgjaten me ligj-, thonë ekspertët europianë.

Bolton dhe Trump

Në kohën që Trump efektivisht dëshiron të shtyjë kufizimin e programit bërthamor iranian, që aktualisht sipas marrëveshjes skadon në vitin 2013, europianët janë më të rezervuar për këtë, duke thënë se de facto kjo do të ishte rinegociim i marrëveshjes. Analisti Richard Nephew thotë se ajo që i komplikon bisedimet amerikane me grupin E3, sipas qëndrimit amerikan, është se për çfarë shtyrjeje flasin gjermanët, britanikët dhe francezët në emër të vendeve të BE, kur disa prej tyre duan një qëndrim më të butë kundrejt Iranit. "Gjermania nuk mund të detyrojë sanksione ndëshkuese kundër dëshirës së Italisë dhe Britania e Madhe nuk mund të detyrojë për ndonjë përgjigje BE, kur dihet si po shkojnë punët me Brexit."

Por problemi më i madh sipas zyrtarëve nga SHBA dhe Europa është qëndrimi mjaft kundërshtues që vetë Trump ka pasur kundrejt kësaj marrëveshjeje që nga fillimi, një qëndrim që mund të amplifikohet nga këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare, John Bolton i njohur si njeri i vijës së ashpër. Ai në një editorial para tre vjetësh është shprehur se "për të ndalur bombën tek Irani duhet bombarduar vetë Irani."

Ndihmon një marrëdhënie e ngrohtë me Donald Trump?

Në këto kushte - kur qëndrimi i Trumpit ndaj marrëveshjes është refuzues, një arritje e politikës së jashtme të paraardhësit të tij-, atëherë çfarë shansesh kanë Merkel dhe Macron të bindin Trumpin t'i qëndrojë kësaj marrëveshjeje?

Zyrtarët amerikanë thonë se influenca e tyre është kufizuar. Ata sugjerojnë krijimin e një marrëdhënie të ngrohtë personale me presidentin, të qenurit ndërveprues, të kenë një ofertë gati, ta joshin atë me impulse të tjera që do ta bëjnë në fund t'i qëndrojë marrëveshjes. Por sipas ekspertes Holgate më e rëndësishmja është për Merkel dhe Macron t'ia bëjnë të qartë Trumpit se pse është në vetë interesin e Uashingtonit mosshuarja e marrëveshjes. "Nuk mund ta përfytyroj dot se si një botë pa marrëveshjen JCPOA atomike me Iranin është në interesin amerikan", thotë ish-ambasadorja Holgate.