1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të krahasohen sistemet e pensioneve në Evropë?

12 Prill 2023

Sistemet e pensioneve, janë shumë komplekse dhe shumë të ndryshme, pra krahasimi është i vështirë. Por pensionistët francezë janë shumë më të privilegjuar se pensionistët në vende të tjera.

https://p.dw.com/p/4PPEQ
Pamje smbolike
Fotografi: Sebastian Kahnert/dpa ZB/picture alliance

Në Francë po përshkallëzohen protestat kundër reformës së pensioneve. Sipas saj mosha e daljes në pension pritet të rritet nga 62 në 64 vjeç. Por krahasuar me Gjermaninë apo vendet e tjera të Evropës, sistemi francez i pensioneve është shumë më i mirë.

Në Gjermani, për shembull, duke filluar nga viti 2024 mosha e pensionit do të rritet gradualisht deri në 67. Kjo e rrit automatikisht edhe kohëzgjatjen e qëndrimit në marrëdhënie pune. Kush ka punuar deri tani 41,5 vjet, sipas projektligjit te ri do të punojë 43 vjet.

Në Gjermani mosha minimale e daljes në pension është 63 vjeç. Që nga kjo moshë mund të dalësh në pension pa humbje, por me kusht që të kesh punuar dhe paguar kontribute në arkën e pensioneve për 45 vjet. Prej vitit 2024 kjo moshë do të rritet në 65 vjet. Një pension pa zbritje, pavarësisht nga kohëzgjatja e punësimit, jepet vetëm në Francë, pas moshës 67-vjeçare – e kjo kështu do të mbetet edhe pas reformës.

Por a mund të krahasohen sistemet e pensioneve?

"Kjo është e komplikuar”, thotë për Deutsche Welle Ulrich Becker nga Instituti Max Planck për Të drejten sociale dhe politikat Sociale. "Është gjithmonë e vështirë të krahasohen sistemet e pensioneve, sepse ato janë të gjitha shumë komplekse dhe shumë të ndryshme”, sqaron Becker. Ai harton të ashtuquajtura "Pension maps” (Harta pensionesh) që evidentojnë veçoritë e pensioneve në secilin vend të botës.

E megjithatë pensionistët francezë kanë dalë shumë më të privilegjuar në një krahasim ndërkombëtar, bazuar në tre kritere: shuma e pensionit, mosha minimale e daljes në pension dhe kohëzgjatja e marrjes së pensionit, pra jetëgjatësia e llogaritur në fillim të pensionit.

Protesta në Paris kundër reformës së pensioneve
Protesta në Paris kundër reformës së pensioneveFotografi: Michel Euler/AP/picture alliance

Normat e pensionit kanë dallime të mëdha

Sesa mirë mund të ruhet standardi i jetesës gjatë periudhës së pensionit, kjo varet nga sa i lartë është pensioni në krahasim me të ardhurat e rregullta. E ashtuquajtura "normë neto e zëvendësimit” është përqindja që mbetet nga të ardhurat neto të marra mesatarisht gjatë gjithë kohës së punës.

Në vitin 2020, në Francë, kjo normë ishte 74.4 për qind. Kjo do të thotë se kush merrte një rrogë mesatare mujore prej 2.500 eurosh, merr një pension prej rreth 1.860 eurosh në muaj.

Kjo e vendos Francën 14 pikë-përqindjeje mbi mesataren e OECD-së për nga norma neto e zëvendësimit të pensionit. Në Gjermani, pensionistët marrin vetëm 52,9 për qind të pagës mesatare që kanë marrë gjatë gjithë jetës.

Ku qëndron Franca përsa i përket pensionit minimal?

Në të ardhmen kjo normë mund të bjerë për shumë njerëz edhe në Francë. Arsyeja: me moshën minimale do të rritet edhe numri i viteve të punës nga të cilat përfitohet pensioni i plotë. Kjo mund të ndikojë veçanërisht te personat me të ardhura të ulëta, pasi ata zakonisht fillojnë të punojnë më herët. Nga ana tjetër, nëse fillon të paguash kontribute për pension, për shembull, pas moshës 25-vjeçare, sepse ke studiuar, atëherë vetëm në moshën 67-vjeçare, pas 42 vitesh pune, do të marrësh pensionin e plotë.

Për ta kompensuar këtë, reforma e pensioneve parashikon një rritje të pensionit minimal në rreth 1 200 euro për çdo person single. Aktualisht pensioni minimal në Francë është 961,08 euro. Ky është një nivel që e vendos atë në mes të listës së OECD-së, ku shuma e pensionit vihet në relacion me të ardhurat mesatare të popullsisë. Ndërsa Gjermania është një nga vendet e pakta pa pension minimal.

Protesta kundër qeverisë
Protesta kundër qeverisëFotografi: Laurent Cipriani/AP/dpa/picture alliance

Në fakt, në shumë vende, njerëzit i pranojnë zbritje në pension për të dalë nga puna më herët. Në Francë, burrat dalin në pension mesatarisht me 60,4 vjeç, ndërsa gratë me 60,9 vjeçe. Kjo do të thotë se francezët burra dalin në pension afro 3,5 vjet, ndërsa gratë 1,5 vjet më herët se grupet e tyre përkatëse në vendet e OECD-së.

Në të njëjtën kohë, në Francë llogaritet një jetëgjatësi veçanërisht e lartë. Vetëm në Luksemburg (24 vjeç) burrat lejohen të gëzojnë pensionin e tyre mesatarisht pak më gjatë se në Francë (23.5 vjet). Kurse gratë franceze jetojnë mesatarisht 27,1 vjet pas daljes në pension. Në Evropë, më mirë se ato e kanë vetëm greket (28.4 vjet) dhe spanjollet (27.7 vjet).

Jetë të gjatë, pension të gjatë?

Pikërisht këto janë arsyet e reformës së pensioneve në Francë. "Franca duhet të përballet me pyetjen se si ta përshtatë sistemin e saj të pensioneve me ndryshimet demografike," shpjegon eksperti i ligjit social Ulrich Becker.

Është problem për fondet e pensioneve që njerëzit po plaken, sepse pensioni duhet të paguhet për një periudhë më të gjatë kohore, megjithëse kontributet nuk janë më të larta. Nataliteti po bie dhe për këtë arsye gjithnjë e më pak të punësuar duhet të paguajnë kontribute për gjithnjë e më shumë pensionistë.

Në Francë, subvencionet e pensioneve publike - si përqindje e produktit të brendshëm bruto - janë ndër më të lartat në listat e OECD-së, vetëm Italia ua kalon. Këtë synonte kryeministrja e Macron, Elisabet Borne, kur tha: "Me projektin ne po japim një garanci që fondet e pensioneve të balancohen financiarisht deri në vitin 2030".

Deutschland | Offenbacher Fußgängerzone
Fotografi: Frank Rumpenhorst/dpa/picture alliance

"Heqja e privilegjeve"

"Një mjet i dukshëm dhe i diskutuar gjerësisht është rritja e moshës së pensionit," shpjegon Becker. "Në këtë mënyrë, njerëzit paguajnë më gjatë dhe marrin përfitime më të shkurtra. Qëllimi është të korrigjohet raporti midis kontributeve dhe përfitimeve."

Një numër vendesh të OECD-së e kanë bërë këtë, dhe shumë syresh po planifikojnë rritje të mëtejshme: në Holandë, Danimarkë, Estoni dhe Itali, mosha e daljes në pension do të rritet në 69 ose më shumë në vitet e ardhshme.

Po në Francë? "Anashkalohet fakti që reformat duhet të heqin privilegjet për grupe të caktuara," thotë eksperti i pensioneve Becker. "Arsyeja për këtë është e qartë, se mbrojtja e të drejtave sociale konsiderohet më e rëndësishme se shpërndarja e drejtë e tyre ndër breza”.