A mund të pritet afrim në raportet mes Shkupit dhe Sofjes?
18 Janar 2022"Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, i cili e mori këtë post në dhjetor, trashëgoi një problem shumë të madh në politikën e jashtme. Në vizitën e tij të parë në Shkup, politikani reformator do të ketë me vete në bagazh veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave të këtij vendi për anëtarësim në BE", shkruan Clemens Verenkotte, korrespodenti i ARD nga ky vend.
Vizita e Kiril Petkovit në Maqedoninë e Veriut ka tërhequr vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare. Kanali gjerman i lajmeve NTV vëren se nuk pritet ndonjë përparim i madh në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, por mund të ketë përmirësim të atmosferës mes tyre.
Ndërsa gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), në një analizë të gjerë të ekspertit të Ballkanit, Michael Martens, shkruan detajisht për gjendjen aktuale dhe motivet e forcave politike që mbajnë qëndrime të dyzuara; në njërën anë mbrojnë interesat e shteteve të veta, e në anën tjetër dëshmojnë gatishmëri për bisedime.
Martens shpjegon se Bullgaria po pengon bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, me një sërë kërkesash që kanë lidhje me çështje historike. Sofja këmbëngul që pushtimi bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore të mos quhet kështu dhe që të njihen rrënjët bullgare të gjuhës maqedonase dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, shkruan Martens.
Në analizën e tij, Martens shkruan: “Kërkesa të tilla të Sofjes nuk janë diçka e re. Megjithatë, në të kaluarën, Evropa u kushtonte pak vëmendje këtyre dy kërkesave, për shkak të qëndrimit edhe më absurd të Greqisë ndaj Maqedonisë. Dhjetë vjet më parë, presidenti i atëhershëm bullgar Rosen Plevneliev tha se Maqedonia duhet së pari të kapërcejë qëndrimin e saj anti-bullgar përpara se të mendojë për fillimin e bisedimeve me BE. Fakt është se në atë kohë Shkupi po ndiqte një politikë historike vërtet të dyshimtë. Një kritikë e tillë nuk mund t'i bëhet lidershipit të sotëm. Si rezultat i vetos së Bullgarisë, e cila po i bën dëme kolaterale edhe Shqipërisë, janë thelluar edhe gjurmët e mosbesimit të shtuar në Balkan ndaj zgjerimit të BE-së, e kjo e dëmton edhe imazhin e BE-së në rajon”.
Ulja e autoritetit të BE në Ballkan
Autori i FAZ shpjegon se kryeministrat e rinj të dy vendeve duan të vënë një fillim të ri në raportet mes tyre. Ai thekson gatishmërinë e kryeministrave të ri të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes këtyre dy vendeve.
"Petkov konsiderohet si një pragmatist, por ende nuk është krejt e sigurt nëse bisedimet në Shkup do të krijojnë vërtet terrenin e duhur për forcimin e raporteve, sepse kreu i qeverisë bullgare duhet të ketë parasysh shumë faktorë. Qeveria e tij e koalicionit përfshin edhe partinë BSP, që ka një qëndrim tradicional nacionalist ndaj Maqedonisë së Veriut. E njëjta gjë vlen edhe për presidentin Rumen Radev, një ish-pilot luftarak i trajnuar në kohën e Traktatit të Varshavës. Radev është një ushtarak, i rritur tërësisht në frymën e historiografisë socialiste bullgare. Deklaratat e tij nacionaliste për Maqedoninë e Veriut tregojnë se ai ende nuk e ka çliruar veten nga kjo trashëgimi".
Për kushtet e vendosura para Shkupit nga presidenti bullgar Radev bëhet fjalë edhe në analizën e Clemens Verenkotte. Në fund të shkrimit të tij autori vëren se "Shkupi nuk do të negociojë identitetin e kombit maqedonas dhe pavarësinë e gjuhës maqedonase, sepse këto janë themelet e vetë shtetit”.
Në një analizë të gazetës austriake "Die Presse" janë vënë në pah edhe qëndrimet e qeverisë së re maqedonase për këtë temë. Kryeministri i ri duhet të kapërcejë një mal të tërë problemesh. Kryeministri Kovaçevski, i konsideruar si pragmatist, ka njoftuar tashmë se një nga qëllimet e tij më të rëndësishme do të jetë t'i japë fund mosmarrëveshjeve me vendin fqinj për identitetin dhe historinë maqedonase. Por nuk mund të priten zgjidhje të shpejta - pavarësisht ndryshimit të qeverive në dy kryeqytetet.
aa/bc/ag