1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po lëkunden financat publike të Italisë?

2 Gusht 2022

Qeveria Draghi po largohet, borxhet mbeten, normat e interesit po rriten dhe primi i rrezikut për obligacionet e qeverisë italiane po rritet në qiell. Sa i qëndrueshëm është buxheti kombëtar italian?

https://p.dw.com/p/4F1nG
Symbolbild Eurokrise Italien Flash-Galerie
Fotografi: DW

Ekonomisti 80-vjeçar Vincenzo Visco ka qenë profesor universiteti dhe ministër financash nën Romano Prodin - dhe tani është i shqetësuar për zhvillimet në tregje pas rënies së Mario Draghit: "Situata aktuale ka një komponent të fortë politik. Zgjedhjet e reja dhe një fitore e mundshme e një të djathte radikale po i shqetësojnë tregjet."

Diferenca është diferenca midis normave të interesit për obligacionet e qeverisë gjermane dhe italiane. Në tregjet financiare kjo është një pikë referimi e rëndësishme nëse financat publike italiane janë të shëndetshme apo jo. Në fillim të javës, diferenca ishte 2.25 pikë përqindjeje, rreth dy herë e gjysmë më e lartë se në mes të shkurtit. Për shumë, ky është një sinjal alarmi.

Sepse në fillim të vitit, banka e madhe holandeze ING thoshte ende se një diferencë prej më shumë se dy pikë përqindjeje do ta çonte Italinë në një krizë financiare për shkak të borxhit të saj të lartë kombëtar - me të gjitha rreziqet e lidhura me euron.

Draghi ne parlament
Fotografi: Andrew Medichini/AP/picture alliance

"Për momentin nuk ka probleme të mëdha”

Nga ana tjetër, analisti italian dhe autori i librave për financat Maurizio Mazziero nuk e sheh nivelin e alarmit si maksimal: "Për momentin nuk ka probleme të mëdha. Mund të lindin nëse diferenca kalon tre pikë përqindje". Sipas tij, rreziku përtej pragut tre për qind qëndron në faktin se njeriu e gjen veten në skajin e sipërm të asaj që ka përjetuar tashmë në historinë e spread-it, diferencës italiane me atë gjermane.

Gjatë krizës financiare të vitit 2011 shpjegon Mazziero, spread-i italian kishte arritur kufirin e pesë pikë përqindjeje. Aktualisht, niveli është më shumë se gjysma e tij. Por edhe analisti e shikon me shqetësim evoluimin e obligacioneve të qeverisë italiane.

Pasiguria politike shton përqindjet e kapitalizimit

Meqenëse qeveria e Draghit është në krizë, përfitimit i obligacioneve dhjetëvjeçare ka qenë mbi tre për qind. Niveli i normave të interesit për herë të fundit ka qenë më i lartë rreth katër vjet më parë, në tetor 2018. Përcaktuesit e zhvillimit aktual janë pasiguria politike në Itali dhe ndryshimi i politikës së normave të interesit të Bankës Qendrore Evropiane.

Kjo politikë e re e normave të interesit priret të jetë e rrezikshme për financat publike italiane, shpjegon Mazziero: "Një shpenzim më i lartë për interesin kontribuon në rritjen e borxhit. Më pas borxhi duhet të financohet". Për ta bërë këtë, duhet të emetohet një sasi gjithnjë në rritje e letrave me vlerë të qeverisë. E cila, nga ana tjetër, rrit borxhin duke rritur shpenzimet për interesin, sipas analistit: "Më pas mund të hysh në një rreth vicioz nga i cili është shumë e vështirë të dalësh”.

BQE zotëron 30 për qind të borxhit publik italian

Megjithatë, ai thekson gjithashtu se "rreziku aktual për financat publike italiane është dukshëm më i ulët se sa gjatë krizës financiare të vitit 2011". Nga njëra anë, sepse ndërkohë rreth një e treta e borxhit italian blihet nga Banka Qendrore Europiane dhe prandaj nuk është i ekspozuar ndaj spekulimeve të tregut.

Draghi del nga shtepia e tij në Romë
Fotografi: Claudio Peri/ZUMA Press/IMAGO

Nga ana tjetër, Mazziero sheh në instrumentin e ri të ndërhyrjes, Instrumentin e Mbrojtjes së Transmisionit (TPI), ndaj të cilit tashmë ka kërcënime në Gjermani se mund ta hedhin në gjyq, një mjet për të disiplinuar qeveritë shpenzuese: "Nuk dimë ende shumë për rregullat sipas për të cilin do të zbatohet ky instrument, por është e qartë se instrumenti do të aktivizohet vetëm kur politika buxhetore është e balancuar, nëse nuk ka çekuilibër makroekonomik dhe mbi të gjitha kur politika fiskale është e orientuar drejt stabilitetit”.

Italia në borxhe përfiton nga inflacioni

Aktualisht, inflacioni po ecën në favor të qeverisë në Romë. Si për çdo rritje çmimi, prej saj përfitojnë debitorët. Mali i borxhit të Italisë, i cili aktualisht është rreth 2.75 trilionë, të paktën po shkrihet pak këto ditë.

Dhe, më e rëndësishmja për financat publike: ekonomia italiane po rritet. Ndërsa Gjermania ngeci në zero në tremujorin e dytë, Italia shënoi rritje prej 1.0 për qind. Por ish-ministri i financave Visco ka frikë se ky zhvillim mund të dalë jashtë kontrollit kur të vijnë në pushtet partitë e djathta: "Po të hyjnë ata në qeveri dhe, siç kanë paralajmëruar, rrisin pensionet dhe ulin taksat - kjo do të jetë e dhimbshme. Shumë e dhimbshme".

J.Seiselberg/ARD-Romë