Abbas: Fundi i qeverisë së unitetit?
8 Shtator 2014Udhëheqja palestineze ndodhet para një prove force. Presidenti palestinez Mahmud Abbas i ka kërcënuar hamasët se do t'i japë fund bashkëpunimit. Shkaku: nëse hamasët nuk do t'i mundësojnë edhe më tej qeverisë së unitetit palestinez që të veprojë si duhet në Rripin e Gazës, ai do të heqë dorë nga partneriteti, tha Abbasi sipas agjencisë së lajmeve Wafa në Kairo.
"Një qeveri informale në Rripin e Gazës"
"Situatën e tanishme ne nuk do ta pranojmë", e citon veç kësaj agjencia egjiptiane e lajmeve, Middle East News Agency presidentin palestinez në fillim të udhëtimit të tij triditor në Egjipt, ku ai do të ndjekë edhe një takim të Lidhjes Arabe.
Sipas kritikave të Abbasit, 27 zëvendësministra të Hamasit drejtojnë një qeveri informale të hamasëve në Rripin e Gazës. "Qeveria e unitetit kombëtar nuk ka mundësi të kryejë aktivitetin e saj", tha Abbasi. "Hamasët kanë armë, burime dhe forca sigurie."
Qeveri e unitetit që prej qershorit 2014
De facto hamasët e kontrollojnë Rripin e Gazës që kur i fituan atje zgjedhjet në vitin 2006. Kjo parti islamiste e mori pushtetin dhe ua imponoi me aparatin e saj të sigurisë në vitin 2007, në një hap të ngjashëm me luftën civile, vullnetin të gjitha fraksioneve palestineze. Kështu Hamasi qeveris në Rripin e Gazës kurse Fatahu në Jordanin Perëndimor- të dyja rajonet palestineze faktikisht janë të ndara nga njëra-tjetra.
Në vitet e kaluara, hamasët kanë humbur mjaft mbështetje në botën arabe. Së fundi ata mbështetën kryengritjen në Siri kundër Bashar-al-Assadit. Kjo rezultoi e gabuar: kryeqyteti sirian ishte për një kohë të gjatë vendi kryesor i tërheqjes së Hamasve.
Dhe kur vitin e kaluar në Egjipt Vëllazëria Myslimane u rrëzua me puç nga ushtarakët, u rrëzua mbështetja e dytë për organizatën palestineze islamike. Me këtë ata nuk humbën vetëm mbështetjen politike, por edhe financiare për organizatën e tyre.
Përgjigjia e hamasëve ndaj deklaratës së fundit të Abbasit erdhi pa u vonuar: "Fjalët e Abbasit kundër Hamasit dhe rezistencës janë të paargumentuara dhe nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën", citon agjencia palestineze e lajmeve Maan një zëdhënës të hamasëve.