Afati për islamistin nuk respektohet
1 Gusht 2018Është e qartë: afati nuk u respektua. Në mesnatë kaloi afati i vendosur nga Gjykata Administrative e Gelsenkirchenit që i dëshmuari si islamist Sami A. të rikthehet në Gjermani. Autoritetet tuniziane e bënë të ditur këtë që të martën. Pasaporta e tij vazhdon të jetë e konfiskuar nga autoritetet tuniziane dhe po verifikohet, tha në Tunis zëdhënësi i Autoritetit Anti-Terror të Tunizisë, Sofiane Sliti në një prononcim për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Veç kësaj Tunizia po i vazhdon hetimet kundër tij.
Gjykata Administrative e Gelsenkirchenit pati kërkuar që deri në mesnatën e së martës, Zyra e të Huajve në Bochum të nisë kthimin në Gjermani të Sami A., person i kategorizuar si rrezikues në Gjermani. Në rast moskthimi, deklaroi Gjykata, Zyra e të Huajve duhet të paguajë një gjobë prej 10.000 eurosh.
Tani fillimisht do të pritet nëse avokatja e Sami A. do të kërkojë gjatë së mërkurës që të paguhet kjo gjobë. Megjithatë pritet që ndaj një kërkese të tillë të paraqesë ankesë Ministria e Refugjatëve e Landit të Rinit Verior-Vestfalisë.
Zyra e të Huajve të Bohumit tashmë ka paraqitur dy ankesa kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Gelsenkirchenit para Gjykatës së Lartë të Landit - kundër ndalimit të dëbimit dhe kundër zbatimit të vendimit, që Sami A. të rikthehet në Gjermani.
Sami A. nuk i pranon akuzat
Sami A. të premten autoritetet tuniziane fillimisht e patën lënë të lirë. Në 13 korrik atë e kthyen nga Gjermania në atdhe, megjithëse Gjykata e Gelsenkirchenit kishte vendosur mbrëmjen e një dite më parë që kjo nuk është e lejueshme, për shkak të rrezikut të torturave në Tunizi. Por vendimi i gjykatës iu përcoll Zyrës së të Huajve vetëm pasi avioni i posaçëm me islamistin në bord qe nisur drejt Tunizisë.
Që prej vitit 2005, disa gjykata gjermane e gjetën të dëshmuar që Sami A. ishte stërvitur ushtarakisht në vitet 1999/2000 në një kamp islamistësh në Afganistan dhe bënte pjesë më vonë në gardën personale të shefit të Al-Kaidas të vrarë në vitin 2011, Osama bin Laden. Ai vetë i kundërshton këto akuza.
Avokati i tij, Seif Eddine Maklouf beson se hetimet kundër mandantit të tij në Tunizi do të mbyllen shpejt. Sami A. ka një "status të mirë juridik", thotë ai.