1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AIDS Geschichte

21 Tetor 2009

Më tepër se 33 milionë vetë ishin infektuar në vitin 2007 me virusin vdekjeprurës HIV. Megjithë përparimet në terapitë e sëmundjes, ajo deri sot mbetet e pashërueshme.

https://p.dw.com/p/KBmP
1 dhjetori Dita ndërkombëtare e SIDA/Aids
1 dhjetori Dita ndërkombëtare e SIDA/Aids

Para 28 vjetësh mjeku Michael Gottlieb, nga Los Anxhelos, shkroi për herë të parë në revistën shkencore "Morbidity and Mortality Report" për një sëmundje të re të çuditshme - për një rast të pazakontë të dobësimit të imunitetit. Pas analizave dhe studimeve të para u mendua se kjo sëmundje shfaqej vetëm tek meshkujt homoseksualë. Një vit më vonë, në vitin 1982, u konstatuan rastet e para të femrave të infektuara me këtë sëmundje. Simptomat e kësaj sëmundjeje njihen sot me emrin SIDA apo AIDS "Acquired Immune Deficiency Syndrome".

Në vitet në vazhdim virologun francez Luc Montagnier dhe mikrobiologu amerikan Robert Gallo izoluan pavarësisht nga njëri-tjetri virusin HIV (Human Immunodeficiency Virus), shkaktarin e AIDS-it. Virusi HIV shkatërron në trupin e njeriut një sërë qelizash të rëndësishme, të cilat janë përgjegjëse për imunitetin.

"Aids është vrasës masiv" -fushatë kundër sidës
"Aids është vrasës masiv" -fushatë kundër sidësFotografi: das comitee/Uwe Düttmann

Për zbulimin e tij Luc Montagnier u nderua në vitin 2008 me çmimin Nobel për mjeksinë. Robert Gallo regjistroi në vitin 1985 patentën amerikane për testin e parë per antikorpera ndaj virusit HIV. Një zbulim i rëndësishëm, sepse numri i të sëmurëve me Sidë në botë shtohet. Në vitin 1985 u zhvillua në Atlanta, të Georgia-s, konferenca e parë botërore e Aids-it.

Pas dy vjetësh u lejua të hidhej në përdorim medikamenti i parë kundër HIV, azidothymid (AZT). Gjithësesi ky vetëm se mund ta ngadalësojë rrjedhën e sëmundjes. AZT-ja përdoret në kombinim me medikamente të tjera edhe sot në terapinë ndaj AIDS-it.

1988 OBSH-ja (WHO) e shpalli 1 dhjetorin si ditën ndërkombëtare të SIDA/Aids-it. Tri vjet më vonë fjongoja e kuqe shndërrohet në simbol të luftës kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Megjithëse në luftën kundër HIV zhvillohen vazhdimisht medikamente të reja, të cilat kanë bërë që përqindja e të infektuarve që arrijnë të mbijetojnë të rritet, ky virus shfaqet vazhdimisht në tipe të reja. Virusi HIV konsiderohet si virusi me më tepër varietete që njeh deri tani shkenca.

SIDA po përhapet me ritme të shpejta, në vitin 2007 me të janë infektuar pesë vetë për minutë. Mjaft të prekura janë vendet në zhvillim, sidomos në Afrikë, ku regjistrohen më tepër se tre të katërtat e rasteve të vdekjes prej Sidës.

Shpërndarja e SIDA-s në botë, viti 2007
Shpërndarja e SIDA-s në botë, viti 2007

Mjaft shqetësuese është gjendja edhe në Evropën Lindore. Nga vitit 2001 në vitin 2007 numri i të infektuerve me virusin HIV dhe AIDS në këto vende është rritur me 150 %. Numri më i madh i infektimeve regjistrohet në Federatën Ruse dhe Ukrainë. Në Evropën Perendimore dhe në Amerikën e Veriut numri i infektimeve të reja është relativisht i ulët. Në vendet e BE-së dhe të EFTës në vitin 2007 u regjistruan vetëm 27.000 raste të reja infektimi me HIV. Estonia, Portugalia dhe Letonia shënojnë ndër këto vende numrin më të lartë të infektimeve, kurse Republika Çeke dhe Rumania përqindjet më të ulta. Megjithë përpjekjet pandemia e AIDS-it vazhdojnë të përparojë.

Autor : Blagorodna Grigorova / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama