Aksion i njësive elitë izraelite në Rripin e Gazës
14 Korrik 2014Pesë ditë pas fillimit të ofensivës ushtarake izraelite kundër palestinezëve militantë, për herë të parë një njësi speciale sulmoi nga toka. Trupat elite zbarkuan natën duke gdhirë e diela në bregun e Rripit të Gazës dhe vepruan kundër qendrave të goditjes. Prej atje besohet se lëshohen raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Izraelit. Synimi është që të pengohet shkrehja e raketave me rreze të gjatë veprimi, u bë e ditur nga pala izraelite.
Diplomacia vihet në lëvizje
Përballë ngjarjeve dramatike, diplomacia ndërkombëtare e krizës është vënë në lëvizje. Të dielën u mblodhën ministrat e jashtëm të Gjermanisë, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës në kuadër të bisedimeve atomike në Vjenë, për të diskutuar mundësitë e një armëpushimi. Ministria e Jashtme veç kësaj konfirmoi që Steinmeieri do të udhëtojë të hënën dhe të martën në Lindjen e Mesme. Të dhëna të tjera, zëdhënësja nuk bëri të ditura.
Liga Arabe ka thirrur për të hënën një mbledhje urgjente në Kairo. Edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet të hënën në një mbledhje tjetër të posaçme. 15 anëtarët e forumit më të lartë të OKB-së u shprehën shumë të shqetësuar për shkallëzimin e dhunës dhe patën kërkuar një armëpushim.
Më shumë se 160 të vrarë, gati 1100 të plagosur
Që prej fillimit të sulmeve masive izraelite nga ajri, në 8 korrik, numri i të vrarëve në Rripin e Gazës është rritur në 163 vetë. Veç kësaj janë plagosur gati 1100 vetë, bënë të ditur shërbimet lokale të shpëtimit. Në përgatitje të sulmeve edhe më të mëdha, ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve të Rripit verior të Gazës dhe veçanërisht banorëve të qytetit Beit Lahia, me anë të fletëvolanteve, sms-ve dhe telefonatave automatike që të largohet nga zonat e banimit deri në mesditë.
Izraeli e pati nisur operacionin ushtarak natën duke gdhirë e marta, për të ndaluar goditjen e vazhdueshme me raketa nga palestinezët të rajoneve izraelite. Që atëherë, sipas të dhënave të saj ushtria ka bombarduar më shumë se 1300 objektiva në enklavën e Mesdheut, ndër to 200 pozicione në 24 orë. Edhe Rripi i Gazës u godit. Edhe atje thuhet se janë vrarë 18 vetë, midis tyre edhe komandanti i Policisë i Rripit të Gazës, Taisir al-Batsch.