Aktivisti bjellorus gjendet i vdekur në Kiev
3 Gusht 2021Një ditë pas zhdukjes së papritur në Kiev të aktivistit të njohur bjellorus, Vitaly Shishov ai është gjendur i vdekur. Policia bëri të ditur të martën (03.08) se Shishov u gjend "i varur" në një park në afërsi të apartamentit të tij në kryeqytetin ukrainas dhe ka filluar hetimet. 26 vjeçari Shishov kishte drejtuar nga Kievi organizatën "Shtëpia Bjelloruse e Ukrainës" që mbështeste refugjatë bjellorusë. Policia bëri të ditur, se po heton në të gjitha drejtimet. Edhe mbi të dhënat, se mund të bëhet fjalë për një "vrasje të inskenuar si vetëvrasje."
Shishov u shpall i humbur, pasi të hënën ai nuk u kthye nga vrapi i mëngjesit, shkruan agjencia gjermane e lajmeve , dpa. Organizata për të Drejtat e Njeriut, Vjasna deklaroi, duke iu referuar të dhënave të miqve të tij, se aktivisti së fundmi është ndjekur nga "të panjohur" gjatë vrapit. Organizata e Shishovit "Shtëpia Bjelloruse e Ukrainës" u shpreh, se ky është një "operacion i planifikuar" i udhëheqjes bjelloruse për "elimiminimin" e një kritiku të regjimit dhe se është e qartë, se shërbimet sekrete bjelloruse e kanë vrarë Shishovin, që ishte një "kërcënim real" për Minskun. Aktualisht shumë bjellorusë largohen nga vendi drejt Ukrainës, Polonisë apo Lituanisë për shkak të represionit në vendin e tyre.
Së fundmi tërhoqi vëmendjen botërore rasti i atletes olimpike bjelloruse, Kristina Tsimanoskaja. Sportistja kishte kërkuar ndihmë tek policia pas deklaratave kritike mbi funksionarët bjellorusë të sportit në Lojërat Olimpike në Tokio. Tsimanovskaja me gjasë do duhej të dërgohej jashtë vendit pa dëshirën e saj nga funksionarët e sportit. Të hënën Polonia i dha sportistes vizë humanitare.
Ky rast risolli në mendje uljen e detyruar të avionit në Minsk në maj, ku u arrestua kritiku i qeverisë bjelloruse në ekzil, Roman Protasevitç bashkë me të fejuarën. Avioni Ryanair ndodhej në fluturim nga Greqia në Lituani. Autoritetet bjelloruse kryen uljen e detyruar të avionit gjoja për shkak të një bombe në bord.
la/ag