Brain Drain Gesundheitssysteme
3 Shtator 2009Përparimet në mjeksi dhe nevoja për trajtime gjithnjë e më të mëdha në një shoqëri e cila po vjetrohet në moshë, kanë bërë që të shtohen edhe kostot e trajtimit mjekësor në vendet industriale. Në anën tjetër, shumë vende janë të detyruara që për shkak të krizës ekonomike të kursejnë edhe në trajtimet mjekësore, që rezulton me faktin se profesioni i mjekut po bëhet një prej profesioneve më pak tërheqëse. Pasoja e gjithë kësaj është mungesa e mjekëve dhe trajtimi më i keq i pacientëve, jo vetëm në vendet e industrializuara por edhe ato më të varfëra.
Brain Drain jo vetëm në vendet në zhvillim - Shumë mjekë britanikë emigrojnë në SHBA
Kushtet pjesërisht të papranueshme të punës, pagesat jo në nivelin e duhur, pamundësia e shpeshtë e ndërlidhjes së profesionit me detyrimet si prind, janë vetëm disa nga mangësitë për të cilat flasin përfaqësuesit e mjekëve në Gjermani. Ata kërkojnë përmirësimin e gjendjes, me qëllim që të mënjanohet problemi i mungesës së mjekëve. Në vendet e zhvilluara perëndimore kjo mungesë zbutet me pranimin dhe punësimin e mjekëve nga vendet në zhvillim, sepse kushtet e tyre për punë në vendet nga vijnë janë edhe më të këqija. Ndërkohë që pagesat atje, pas studimeve të gjata dhe shpenzimeve të mëdha, janë në një nivel shumë më të ulët. Kushtet e punës në vendet nga vijnë ata janë shumë të këqija. Punësimi në Gjermani dhe Evropë është për shumë prej tyre një përmirësim shumë i madh.
Vendet e varfëra shkollojnë mjekë për vendet më të pasura
Në Manchester të Britanisë së Madhe, për shembull, ka aktualisht më shumë mjekë malavezë se sa kanë mbetur në vendin e tyre në Malavi. Në Malavi një mjek kujdeset mesatarisht për 65.000 vetë, njoftuan ditë më parë autoritetet e një organizate malaveze, në një konferencë në Berlin. Edhe në Nigeri mjekët kanë rroga më të ulta se shumë profesione të tjera. Kështu pohon dentisja Titilola Banjoko, themeluese e një agjencie për ndërmjetësim, e cila mori pjesë së fundi në një konferencë në Bon.
Sistemi shëndetësor britanik po i humb ekspertët e mjekësisë, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e këtij vendi. Shumë mjekë britanikë kanë shkuar tani më në SHBA. Ky lloj brain drain-i, pra kalimi i ekspertëve prej një vendi në vendin tjetër, ka bërë që në shumë vende të ketë mangësi personeli. Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka vlerësuar në vitin 2008, se në mbarë botën mungojnë aktualisht rreth katër milionë mjekë dhe punonjës në sektorin e shëndetsisë.
Mangësi në 57 vende të ndryshme nga Afrika deri në Azi
Organizatat joqeveritare dhe ato të ndihmës shprehen se vendet e varfëra po shkollojnë mjekë për vendet më të pasura. Ndërkohë që në shumë vende të varfëra nuk ekziston as minimumi i përkujdesjes mjekësore. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se për shkak të mungesës së kuadrove në shumë mungojnë shëbimet elementare mjekësore, siç janë kontrollet preventive, sensibilizimi i opinionit, furnizimi me medikamente, përkujdesja e nënave të ardhshme dhe të sëmurëve akutë.
Autor: Ulrike Mast-Kirsching/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani