Aldi së shpejti edhe në Zvicër
16 Korrik 2004Kushtet për dyqanet që ofrojnë çmime të ulta në Zvicer janë mjaft të mira, sepse numri i personave që jetojnë prej ndihmës sociale po rritet, çmimet për shërbimet shëndetsore gjithashtu, dhe të gjitha ushqimet në Zvicër janë të paktën 30% më të shtrenjta se sa mesatarja e çmimeve në vendet e BE-së. Për këtë Zhaklinë Bachmal, aktiviste për të drejtat e konsumatorëve përpiqet rregullisht duke marrë fjalën në TV që zviceranët të kenë mundësi të blejnë në dyqane që mund t'i përballojnë me portofolin e tyre. "Eshtë fakt që konsumatorët në Zvicër shtrydhen në mënyrë masive. Dhe është fakt që jemi vetë ne zviceranët që i shtrydhim zviceranët, sepse duke filluar nga çokollata e deri tek pluhuri për të larë rrobat, apo lavatriçja, ne paguajmë më tepër se konsumatorët në vendet fqinje. Kjo lidhet me mungesën e konkurencës në vend."
Me hapjen e filialeve të Aldit në Zvicër nuk do të mungojë konkurrenca në tregëtinë ushqimore, sepse edhe rrjeti tjetër tregëtar gjerman Lidl është gati të hyjë në tregun zviceran, për të mos folur pastaj për grupin REWE, Denner apo Carfour, që janë tashmë të pranishëm. Në tregun zviceran prijnë grupi Coop dhe Migros, që mbulojnë 70% të tregut përkatës. Për shkak të këtyre shifrave manaxheri për jugun i rrjetit tregëtar gjerman Aldi, Gëtsch, nuk është euforik: "Me siguri që vitet e para ne nuk do të përbëjmë konkurencë të madhe për grupin Migros apo Coop, dhe me siguri që do të zëmë vend në treg me një numër shumë më të vogël filialesh se këto rrjete tregëtare."
Me ngritjen e pesë filialeve në Zvicër Aldi do të fillojë në pranverën e vitit të ardhëshëm. Firmat që do të merren me ndërtimin duhet të kapërcejnë një sërë kurthesh të zyrave zvicerane të urbanistikës. Kështu ndër të tjera prej një supermarkate kërkohet që për 5.000 metra katrorë sipërfaqe ambientesh shitjeje, të vërë në dispozicion të klientëve të paktën 300 vende parkimi.
Për këtë Aldi do të ndërtojë objekte shitjeje me një sipërfaqe më të ulët se 5.000 metra katrore. Ekspertët vlerësojnë se Aldi duhet të hapë në Zvicër 50-60 filiale të tilla, në rast se do që t'i dalë me sukses ky projekt. Gjithsesi konsumatorët zviceranë nuk kanë pse të gëzohen aq shumë, sa ata në Gjermani për çmimet e Aldit, sepse për shkak të kushteve kornizë që kërkohen prej autoriteteve zvicerane Aldi nuk mund t'i ofrojë ushqimet me çmime aq të ulta sa në Gjermani.