"Aleancë për të drejtat e njeriut" - Përfundon Global Media Forum i DW
23 Qershor 2011"Kemi të bëjme me një barazim të thjeshtë: pa të drejta njeriu nuk ka shoqëri civile. Pa të nuk ka siguri juridike, nuk ka mirëqënie ekonomike. Mediet duhet t'i komunikojnë këto kontexte."
Pas tri ditësh të konferencës, fjala përmbyllëse e drejtorit të përgjithshëm të Deutsche Welles, Erik Bettermann u kthye në një apel pasionant drejtuar medieve, që ato të veprojnë në përputhje me përgjegjësinë e tyre për ruajtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Situata e të drejtave të njeriut i intereson secilit, kudo në botë.
"Konferenca jonë pasqyron përvojat me të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Ne e lehtësojmë komunikimin midis politikanëve dhe botës akademike, midis ekonomisë dhe medieve."
Në mbi 50 aktivitetet e ndryshme u fol ndër të tjera për të drejtat e njeriut, për lirinë e internetit ose viktimat në luftën e drogës në Amerikën Latine. Gazetarëve që morën pjesë iu ofruan edhe workshope praktike. Për shembull për faktin se si raportohet për të drejtat e njeriut, pa i shkelur të drejtat e viktimave. Një temë i përshkoi të gjitha diskutimet: roli i medieve të reja dhe i rrjeteve sociale. Mundësitë dhe kufijtë e tyre, marrëdhënia e tyre me mediet klasike, rreziqet dhe shanset e tyre.
Thomas Deve nga Zimbabveja është koordinator i Fushatës së Mijëvjeçarit të OKB-së për Afrikën jugore. Deve e ndien veten të konfirmuar në pikëpamjen e tij prej gazetarëve në të gjithë botën:
"...që mediet sociale janë për ne një instrument i rëndësishëm, për t'u afruar me njëri-tjetrin. Njerëzit mund të shprehin mendimet e tyre për shtetin dhe shoqërinë."
Blogistja tuniziane Lina Ben Mhenni, fituese "Best of Blogs Awards", çmim që jepet në kuadër të Global Media Forumit të Deutsche Welles e kundërshton termin "revolucioni i Facebook-ut", term i krijuar në lidhje me përmbysjet në Afrikën e Veriut:
"Nuk kemi të bëjmë me një revolucion të Facebook-ut, apo të internetit apo të Twitter-it. Kemi të bëjmë me një revolucion të popullit, një revolucion të dinjitetit. Në Tunizi ai nuk nisi në internet, por në rrugë. Interneti ishte vetëm një mjet ndihmës."
Tema e të drejtave të njeriut do të mbetet edhe më tej në axhendën e Global Media Forumit. Në qershor 2012, në Global Media Forum-in e pestë do të bëhet fjalë për të drejtën e njeriut për arsim.
Autor: Mathias von Hein / Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti