1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forumi i ekonomisë botërore në Peru

Manuela Kasper-Claridge / Eliana Xhani28 Prill 2013

Tre presidentë shtetesh morën pjesë në forumin e ekonomisë botërore në Lima. Politikanët dhe sipërmarrësit diskutuan për të ardhmen e rajonit dhe vazhdimin e suksesit.

https://p.dw.com/p/18OG7
Fotografi: World Economic Forum/Benedikt von Loebell

Qiellgërvishtësit shkëlqejnë në lagjen e biznesit të Limas, San Isidora, në rrugë nxitojnë për në takimin e radhës njerëz me kostume të errëta biznesi. Në duar një gotë letre me latte machiaton e detyruar. Nëse nuk do të ishin llustraxhinjtë, që për pak para bëjnë të shkëlqejnë sërish këpucët, mund të mendosh se ndodhesh në Nju Jork apo Londër. Këtu gjendet Amerikan Latine moderne. "Engel & Völkers", firma ndërkombëtare e shitblerjeve të imobileve, ka një zyrë të madhe në Lima. Ofrohen apartamente luksoze, të interesuarit vijnë nga Panamaja, Kolumbia, por edhe nga Kina apo Evropa.

Zhvillimi i Perusë është një nga historitë e mëdha të suksesit të Amerikës Latine. Nga vend i varfër në një nga vendet me rritjen më të fortë ekonomike në rajon. "Shtresa e mesme është në rritje, vendi është i sigurt dhe investohet shumë në arsim", thotë Jörg Zehnle, drejtor i dhomës së tregtisë gjermano-peruane në Lima, i cili jeton prej tetë vitesh në këtë qytet. Zhvillimi është vërtet mbresëlënës: "Dhe ai nuk kufizohet vetëm në kryeqytet. Kur udhëton nëpër Peru dallon se në të gjithë cepat ndërtohet. Infrastruktura po përmirësohet."

Rritje marramendëse

Vetëm gjatë këtij viti ekonomia do të rritet me gati 7 për qind. Të nxitur nga bumi i lëndëve të para, tani po vijnë edhe investuesit, të cilët investojnë në infrastrukturë apo teknologji moderne. Presidenti Ollanta Humala përpiqet të gërshetojë ekonominë e lirë të tregut me aspekte sociale.

Objektivi i tij i shpallur është luftimi i varfërisë. Për të arritur këtë ai mbështetet në ekonominë e tregut dhe nxit projektet sociale. Peruja për herë të parë ka krijuar një Ministri Sociale, një task force kombëtare duhet të analizojë pikat e dobëta të sistemit social dhe të ndërhyjë në mënyrë aktive.

"Duhet të kuptojmë se mund të zhvillohemi vetëm nëse rritemi ekonomikisht dhe nëse e shpërndajmë në mënyrë të drejtë këtë rritje. Këtë e quajmë integrim social", deklaroi Humala në hapje të Forumit Botëror të Ekonomisë në Amerikën Latine, një aktivitet rajonal i World Economic Forums (WEF), që zhvillohet në Davos të Zvicrës.

Klaus Schwab, drejtor ekzekutiv dhe themelues i WEF, Ollanta Moises Humala Tasso, President i Perusë, Ricardo Martinelli, Presidenti i Panamasë dhe Enrique Peña Nieto, President i Meksikës në WEF në Peru.
Klaus Schwab, drejtor ekzekutiv dhe themelues i WEF, Ollanta Moises Humala Tasso, President i Perusë, Ricardo Martinelli, Presidenti i Panamasë dhe Enrique Peña Nieto, President i Meksikës në WEF në Peru.Fotografi: World Economic Forum/Benedikt von Loebell

Çështja sociale

Për Omalën zgjedhja e Perusë si vend për zhvillimin e këtij aktiviteti prestigjioz është vlerësim i punës së tij. I çlirët ai diskutoi me themeluesin e Forumit Botëror të Ekonomisë, Klaus Schwab, i cili nuk i kurseu lëvdatat. "Ata kombinojnë zhvillimin ekonomik me atë social, dhe kështu forcojnë shoqërinë. Në të njëjtën kohë Peruja është tërheqëse për investuesit. Ata janë nga reformatorët më të mëdhenj në Amerikën Latine."

Një vlerësim që u lidh me përmendjen e sfidave të tjera, pasi megjithë sukseset një e treta e popullsisë së Perusë është ende e varfër. Veçanërisht në zonat rurale dallimet mes të varfërve dhe të pasurve janë ende të mëdha. Por Produkti Social Bruto është trefishuar dhjetë vitet e fundit dhe norma e inflacionit është vetëm pak mbi 2 për qind.

Atmosferë ndryshimi në forumin e ekonomisë botërore

Megjithatë Peruja është vetëm një nga shumë shembujt pozititvë nga Amerika Latine. I gjithë rajoni është në ndryshim. Kjo u bë e qartë në diskutimet e shumta në forumin e ekonomisë botërore në Lima. Mbi 600 shefa sipërmarrjesh, përfaqësues qeverish dhe anëtarë të OJQ-ve diskutuan për rëndësinë në rritje të rajonit. Ndërkohë që Evropa këtë vit mezi shmang recesionin, për Amerikën Latine Banka Botërore pret një rritje prej 4 për qind. Por si mund të garantohet rritja afatgjatë? A nuk ka mundësi që nesër të ndodhë rënia?

"Në rastin e Costa Rica-s kemi mbështetur në mënyrë aktive integrimin e vendit në zinxhirin global të krijimit të vlerës. Sot jemi pjesë zinxhirëve të prodhimit në degë të ekonomisë si industria elektronike apo teknologjia e avancuar, në sektorin e fluturimeve apo teknikës mjekësore dhe ky është një shans i madh rritjeje për Costa Rica-n", thotë Anabel Gonzalez, ministre e Tregtisë e Costa Rica-s në bisedë me DW.

Duhet përmirësuar arsimi

Megjithatë ka ende shumë për të bërë. Në Amerikën Latine jetojnë rreth 150 milionë vetë nga 15 deri 29 vjeç. Këta të rinj shpesh nuk kanë arsim të mjaftueshëm. Një në tre investues amerikanë në Amerikanë Latine ankohet për mungesë fuqie të kualifikuar pune. Disa sipërmarrje eksperimentojnë me aftësimin e dyfishtë profesional sipas modelit të Gjermanisë.

Kërkohen investues

"Ky është një moment i mirë për të ardhur në Amerikën Latine", thotë Presidenti meksikan në Lima. Edhe ai është reformator dhe burim shprese. Meksika investon në sektorë të së ardhmes dhe shpreson të tërheqë më shumë investues edhe nga Evropa.

Kur pjesëmarrësit e Forumit të Ekonomisë Botërore largohen nga Lima me avion, mund të përjetojnë se sa i suksesshëm mund të jetë një bashkëpunim. Aeroporti drejtohet nga operatori gjerman i aeroporteve Fraport, i cili mori koncesionin dhe investoi shumë. Terminali modern ka dyqane tërheqëse, rrugët për në avion janë të shkurtra. Vitin e kaluar aeroporti "Aeropuerto Internacional Jorge Chavez" u nderua me titullin "World Travel Award".