1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel do të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

6 Nëntor 2020

Të martën zhvillon punimet në format virtual samiti i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

https://p.dw.com/p/3kxSG
Polen Westbalkan-Konferenz | Merkel & Zaev & Borisov & Morawiecki
Konferenca e mëparshme e Ballkanti Perëndimor u zhvillua në korrik 2019 në Poznan të Polonisë Fotografi: Regierung Nord-Mazedonien

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë pjesë të martën, 10.11. 2020, në konferencën virtuale të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë e bëri të ditur të premten, 6.11.2020, në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Seibert tha se tema e samitit do të jetë  bashkëpunimi rajonal dhe  bashkëpunimi ekonomik. 

Samiti I Ballkanit Perëndimor zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilin e ka iniciuar kancelarja gjermane Angela Merkel. Është konferenca e shtatë e Ballkanit Perëndimor, e cila këtë radhë zhvillohet në formal virtual për shkak të pandemisë. 

Grindje mes organizatorëve

Konferenca e këtij viti zhvillohet nën hijen e mosmarrëveshjeve aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dy vendet  janë edhe organizatoret e këtij samiti. Bullgaria po pengon aktualisht fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për shkak të disa mosmarrëveshje në lidhje me historinë dhe përkatësinë gjuhësore. 

Në fillim të javës në Berlin u bënë përpjekje për të ndërmjetësuar midis palëve, por ato përfunduan pa sukses. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, tha të premten në Berlin se po punohet që të arrihet një zgjidhje, si ne Berlin ashtu edhe ne Bruksel.