1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel nuk mendon të dorëhiqet

21 Nëntor 2017

Si do të venë punët në Gjermani? Kjo është çështja kryesore që debatohet aktualisht në këtë vend. Kancelarja Merkel deklaroi ndërkohë se është gati për rikandidim në rastin e zgjedhjeve të reja.

https://p.dw.com/p/2nyac
Berlin nach dem Ende der Sondierungsgespräche -  Merkel
Fotografi: picture-allianc/dpa/M. Kappeler

Merkel nuk u shpreh fillimisht pas dështimit të bisedimeve paraprake për mundësinë e koalicionit mes konservatorëve, liberalëve e Të Gjelbërve të hënën (20.10). Por në mbrëmjen e së hënës ajo e bëri të qartë në dy intervista televizive, se nuk shikonte gabime në bisedimet mes CDU/CSU-së, FDP-së e Të Gjelbërve. "Kam bërë atë që mundesha, e si e thashë kishim ecur vërtet përpara."

Kështu duket e logjikshme, që Merkel nuk mendon të dorëhiqet. "Jo, kjo nuk qëndron për momentin. Mendoj se Gjermania ka nevojë për stabilitet." Ajo u shpreh për ARD, se nëse Gjermania do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, atëherë ajo është e gatshme të drejtojë partinë e saj në një fushatë zgjedhore. Ajo është "një grua që ka përgjegjësi dhe është edhe më tej e gatshme ta marrë përsipër këtë përgjegjësi", tha Merkel.

Deutschland Ende Jamaika-Koalition Sondierungsgespräche | Angela Merkel; Bundeskanzlerin
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Mbështetje nga CDU/CSU

Merkel e njohur për aftësinë e kompromisit, nuk ia doli kësaj here, as aftësia e saj e negociimit dhe as vullneti i saj për të qeverisur edhe katër vjet të tjera - FDP shpalli dështimin e bisedimeve, sepse nuk shikonte më një bazë për bisedime mes CDU, CSU e Të Gjelbërve.

Por largimi i FDP-së nga bisedimet bëri që ndërmjetësuesit konservatorë si CDU, CSU të forconin radhët krah Merkelit, duke i dalë kundër zërave për një fund të epokës Merkel. Megjithëse nuk ka kritika nga radhët e partisë së saj, situata për Merkelin është shumë më e vështirë. Kjo është një situatë e re për vetë kancelaren, sepse në legjislaturat e mëparshme Merkel ia ka dalë pa shumë vështirësi të krijonte një qeveri të stabilizuar, dy herë me socialdemokratët dhe një herë më liberalët.

Tetë javë pas zgjedhjeve parlamentare, Gjermania ende nuk ka një qeveri të re. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier nuk është entuziast për zgjedhje të reja. "Pres nga të gjithë gatishmëri për bisedime me qëllim që të krijojmë një qeveri në një kohë të afërt", tha Steinmeier pas takimit me kancelaren Merkel.

 

la/(afp, dpa)