Anija e parë me drithëra largohet nga Ukraina
1 Gusht 2022Anija e mallrave me flamurin e Sierra Leone-s kishte ngarkuar 26.000 tonë drithëra ukrainase në bord më konkretisht misër dhe është nisur për në Liban, sipas raporteve turke. Dërgesat e tjera do të pasojnë.
Ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov tha se ata po bënin një hap përpara me partnerët e tyre për të parandaluar urinë në botë. Ai tha se zhbllokimi i porteve jo vetëm që do të sjellë fitime valutore prej të paktën 1 miliardë dollarësh, por do të lejojë edhe sektorin e bujqësisë të planifikojë për vitin e ardhshëm.
OKB-ja ndihmoi
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e përshëndeti rifillimin e eksporteve të grurit nga Ukraina. Ai shpreson se kjo do të stabilizojë sigurinë globale të ushqimit, tha Guterres-i.
Një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme në Berlin foli për një "shkëndijë shprese". Ai tha se tani është e rëndësishme që nga portet ukrainase të Detit të Zi të largohen më shumë anije. Përveç kësaj, duhet t punohet pwwr rrugë alternative për të shmangur bllokimin e drithërave. Ministrja e jashtme britanike, Liz Truss vuri në dukje se bota tani do të shikojë nëse Rusia do të vazhdojë t'i përdorë dërgesat ushqimore si armë.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përshëndeti faktin që për herë të parë pas një kohe të gjatë, një anije mallrash që transporton drithë është larguar nga Odesa. Në një deklaratë të postuar në Twitter, Stoltenberg falënderon Turqinë për rolin e saj qendror në ndërmjetësim.
Turqia dhe Kombet e Bashkuara kishin negociuar një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë dhjetë ditë më parë për eksportin e drithërave. Ukraina dhe Rusia marrin përsipër të respektojnë korridore të sigurta për anijet e mallrave në Detin e Zi dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet ushtarak në këtë zonë.
25 milionë tonë të bllokuara
Deri në 25 milionë ton drithë janë bllokuar në portet e Ukrainës që nga fundi i shkurtit për shkak agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit dhe drithërave të tjera.
Marrëveshja e grurit është marrëveshja e parë e arritur midis Moskës dhe Kievit që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt. Ajo duhet të bëjë të mundur zbutjen e krizës globale të ushqimit. Që nga fillimi i luftës, çmimet e ushqimeve janë rritur shumë në disa nga vendet më të varfra të botës.
Pak ditë më parë në Stamboll u përurua qendra e koordinimit të eksportit të drithërave, e parashikuar në marrëveshje. Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë, si dhe Turqia dhe OKB, në të ardhmen do të monitorojnë së bashku kalimin e sigurt të anijeve të mallrave ukrainase në itinerarët e përcaktuar.
aud (br, dpa, dlf)