1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Antisemitizëm në Gjermani – urrejtja shtohet

Patrick Große
19 Korrik 2018

Kur izraeliti Yorai Feinberg hapi në Berlin një restorant, e ndiente veten të mirëpritur. Sot ai përjeton armiqësinë antisemite. Urrejtja është bërë më radikale, këtë e tregon edhe një studim aktual.

https://p.dw.com/p/31ish
Berliner Wirt antisemitisch beschimpft
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Carstensen

"Ludwig Fischer" ka shkruar sërish. Yorai Feinberg është mësuar tashmë. Një herë në disa ditë, gastronomi i Berlinit merr e-maila nga një njeri që e quan veten "Ludwig Fischer", me emrin e një nga ish bashkëpunëtorët e Hitlerit. Feinberg është "mi i pisët",  Holokausti është "hedhje hi syve", dhe të gjithë hebrejtë do përfundojnë në furrat e gazit.

Deri tani Feinbergu ka mbledhur 60 faqe me e-maile me urrejtje, të shkruara nga "Ludwig Fischer". 60 faqe fyerje, mohime të Holokaustit dhe kërcënime. "Unë nuk e marr më seriozisht këtë punë. Nuk e marr më as personalisht", thotë Feinberg.

Kufiri i tabuve zhvendoset

Kur izraeliti erdhi 6 vjet më parë në Gjermani, e ndiente veten mirë: "Unë isha direkt shumë i mirëpritur në Berlin," tregon ai. Feinberg ka jetuar më parë në Vjenë, atje klima kundër hebrejve dhe izraelitëve nuk ishte kaq e çtencionuar si në Gjermani. "Por kohët kanë ndryshuar, ato janë bërë më të vështira."

Muajt e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë sulme kundër hebrejve në Gjermani. Pak kohë më parë një profesor amerikan u sulmua në Bonn nga një gjerman me origjinë palestineze. Në muaji prill vëmendje mori goditja me rrip e një izraeliti që mbante kipa në Berlin.

Kundgebung gegen Antisemitismus
Fotografi: picture alliance/dpa/M. Hitij

Por sidomos në internet janë shtuar sulmet edhe fyerjet kundër hebrejve dhe izraelitëve. Këtë e tregon një studim i Universitetit Teknik të Berlinit. Studiuesit kanë analizuar 300 000 tekste të shkruara në mënyrë anonime. Pjesa më e madhe vjen nga mediat sociale. Rezultati: Kundër hebrejve nuk ka vetëm shprehje urrejtjeje, tekstet janë bërë më radikale. "Kufiri i tabuve lëviz", shpjegon Monika Schwarz-Friesel. Ajo drejton studimin e bërë në Institutin e gjuhës dhe komunikimit. "Njerëzit përdorin anonimitetin e internetit për të bërë komente antisemite".

Urrejtje kundër hebrejve në mesin e shoqërisë

Yorai Feinberg i përjeton armiqësimet në mes të rrugës në Berlin. Në dhjetor 2017 një burrë e ofendoi minuta të tëra para restorantit të tij. Skenën e xhiruar në videon ai e hedh në internet. Solidariteti është i madh dhe vjen nga e gjithë Gjermania. Por që atëherë ai ka ndjerë gjithnjë e më shumë armiqësi. "Problemi nuk janë disa njerëz të këqinj, por shumë vetë që shkojnë me ta", shpjegon Feinberg.

Edhe studimi i bërë në TU e Berlinit e konfirmon këtë. "Antisemitizmi vjen kryesisht ga skena ektreme e djathtë dhe nga skena populiste", thotë Schwarz-Friesel duke folur për rezultatet e studimit. Por edhe e majta politike, njerëz liberalë dhe myslimanët janë parë të bëjnë komente antisemitiste. "Antisemitizmi në jetën e përditshme që vjen nga mesi i shoqërisë është më i rrezikshmi", thotë studiuesja. Komentet radikale shpesh hidhen poshtë si tjerrje. Kurse sapo kemi të bëjmë me antisemitizëm edhe nga shoqëria e arsimuar, pranueshmëria është gjithnjë e më e madhe.

Paragjykime të vjetra

Armiqësitë kundër Yorai Feinbergut vijnë kryesisht nga spektri i djathtë. Për këtë nuk flet vetëm pseudonimi "Ludwig Fischer", por edhe mailat vetë kanë një model të caktuar. Përpiluesi i tyre mohon Holokaustin dhe thotë se kampet e përqëndrimit nuk kanë ekzistuar. Hebrejtë kanë qenë vetë përgjegjës për vrasjen masive në Luftën e Dytë Botërore, dhe vrasjet nuk janë bërë nga nacionalsocialistët.

Deutschland - Jüdischer Schüler gemobbt
Fotografi: Imago/UIG/D. Godong

Përgjegjëse për këtë zhvillim janë shumë gjëra thotë Yorai Feinberg: "Atmosfera në Gjermani është bërë më ekstreme në të gjitha drejtimet. E djathta bëhet gjithnjë e më ektreme, si reaksion edhe e majta bëhet ekstreme". Edhe shtimi i migracionit në Evropë luan një rol.

Kualiteti i ofendimeve dhe armiqësive nuk duket se ka ndryshuar. "Ne u trembëm vetë kur pamë se paragjykimet ndaj hebrejve në shekullin e fundit nuk kanë ndryshuar", tregon Monika Schwarz-Friesel nga TU Berlin. Hebrejtë vazhdojnë të shihen si "e keqja e botës", që duhen shuar. Argumentet e antisemitistëve sot nuk janë të ndryshme nga ato të shekullit të 16-të. Por shpesh paragjykimet e sotme përzihen me kritikat ndaj Izraelit.