"Ariu i Artë i Nderit" për Claude Lanzmann
15 Shkurt 2013I lindur në vitin 1925 në Paris, si fëmijë me prindër hebrej, Claude Lanzmann mësohet me luftën që në djep. Nxënës në Lycée Condorcet ai e përjeton vetë antisemitizmin e para luftës. Më vonë i ati, një veteran i luftës, i mëson Claude dhe vëllezërve rregullat më të rëndësishme të luftës partizane kundër pushtuesit gjerman, i mëson skepticizmin dhe një "pesimizëm aktiv", siç shkruan Lanzmann në kujtimet e tij. Përpjekjet e të atit patën sukses. Kur ishte 18 vjeç, Claude organizon rezistencën franceze në Clermont-Ferrand dhe lufton pak më vonë si partizan në Auvergne, ku ai dhe shokët e tij pengojnë furnizimin e trupave gjermane në Normandie.
23 vjeç - docent në Berlin
Pas luftës, Lanzmann studion filozofi në Sorbonë dhe në vitin 1947 shkon së bashku me shokun e tij Michel Tournier për një vit në Tybingen. Në një interviste me gazetën Hannoversche Allgemeine Zeitung ai thotë më vonë: "Unë mund të shkoja tek gjermanët sepse unë nuk kisha ikur prej tyre, sepse unë i kisha luftuar ata. Dhe unë doja të shkoja në Gjermani, sepse Gjermania është atdheu i filozofisë." Është kurioziteti ai që e shtyn të shkojë në vendin e pushtuesit, interesi i tij më i madh ishte analizimi i holokaustit.
Në semestrin dimëror 48/49 ai jep leksione në Universitetin e Lirë të Berlinit, i cili sapo ishte krijuar. I lutur prej studentëve, ai mban leksione për temën e antisemitizmit, duke përdorur si bazë vepra e Jean-Pauls Sartre "Konsiderata për çështjen e hebrejve".
Nderim për Sartre, dashuri për de Beauvoir
Kur kthehet në Paris, Lanzmann punon si gazetar. Artikulli i tij "Gjermania pas perdes së hekurt", i publikuar në të përditshmen Le Monde, zgjon vëmendjen e Sartre, të cilin ai e vlerësonte shumë. Ky i lutet Lanzmannit të punojë për gazetën e tij Les Temps Modernes, redaktor i të cilit Lanzmann është edhe sot. Nga viti 1952 deri në vitin 1959 ai mban një lidhje dashurie me Simone de Beauvoir, së cilës ai i qëndroi pranë deri në vdekje, më 1986.
Kur ishte në mes të dyzetave Lanzmann fillon të punojë me filma. "Pse Izrael", film i vitit 1973, ka të bëjë me të drejtën e ekzistencës së shtetit hebre, me të cilën ai si ateist dhe intelektual francez, ndihet i lidhur gjatë gjithë jetës.
Dymbëdhjetë vjet përgatitje për filmin "Shoa"
Pak më vonë Lanzmann fillon në Poloni me përgatitjet për veprën e tij më të madhe, filmin "Shoa". 12 vjet me radhë ai kërkon për njerëzit që i mbijetuan holokaustit dhe flet me viktima dhe autorë të krimeve. Në Këln, merr ndihmë financiare nga Westdeutsche Rundfunk (WDR). "Shoa" është një vepër vigane, e pashoqe, film i pakrahasueshëm me ndonjë film tjetër me temën e holokaustit. Lanzmann nuk tregon material arkivi, por tregon viktima, autorë të krimeve, vende ku janë zhdukur njerëzit. "'Shoa është një film ndryshe. Një material ndryshe nga ai i muzeumeve dhe përmendoreve, i cili formon pikëpamjen e Lanzmannit mbi kujtesën", thotë Reichart, ish-drejtori i WDR. Ai u shpall luftë atyre që përpiqen t`i bëjnë mizoritë të kuptueshme.
Raporte gati terapeutike me protagonistët
Synim i Lanzmannit është vizualizimi absolut, kështu që filmi i tij ndryshon në themel nga melodramat e prodhimeve amerikane të stilit "Holocaust" nga Marvin Chomsky-t ose "Lista e Shindlerit" e Steven Spielberg-ut. Spielbergu tregon për të mbijetuarit, kurse Lanzmanni tregon për të vrarët. "Tek ai nuk ka fund me lot. Në vend të kësaj ai evokon strukturën e traumës. Kështu që filmi i Lanzmannit është shumë më radikal, estetika e tij në përputhje me titullin," mendon Gertrud Koch, profesore e filmit në Universitetin e Lirë të Berlinit.
Lanzmann i bën të mbijetuarit që të japin dëshmitë, edhe kur ata mezi janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Ai i çon protagonistët në vendet e tmerrit, dhe bën që duke treguar ata të ndihen si në atë kohë. Ai i bën ata aktorë të historisë së tyre, ngjashëm si në përpunimin psikologjik. Regjisorin dhe protagonistët i lidh një marrëdhënie disavjeçare, gati terapeutike.
Protestë e pushtetarëve socialistë
Para premierës së filmit në Paris, Republika Popullore e Polonisë protestoi tek qeveria franceze. Pushtetmbajtësve socialistë në Poloni nuk u pëlqeu që filmi trajton edhe antisemitizmin e përditshëm në Poloni. Përpjekja e tyre për të ndaluar shfaqjen e filmit dështoi. Në vitin 1986 "Shoa" pati premierën ndërkombëtare në Berlinale kur mori tre çmime të rëndësishme. Filmi merr edhe katër çmime të tjera. Jehona në media është e madhe dhe Claude Lanzmann njihet në gjithë botën. Nga 350 orët e materialit filmik të xhiruar për "Shoa-n" ai bën katër filma të tjerë, mes të cilëve "Një i gjallë është duke kaluar", 1997, "Sobibor, 14 tetor, ora 4" (2001) dhe "Raporti Karskit" (2010).
Me Claude Lanzmann nderohet një regjisor, i cili i ka kushtuar jetën e tij luftës aktive kundër harresës. Në kuadër të Berlinales, seksioni Hommage do të shfaqë të gjithë veprën e tij. Pika kulmore e aktiviteteve do të jetë shfaqja premierë e versionit origjinal të restauruar dhe dixhitalizuar të "Shoa-s".
Autor: Philipp Jedicke/ Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi