Arrestimi i Mlladiqit, vizita e Ashton në Beograd dhe Prishtinë dhe mosmarrëveshjet në Shqipëri
27 Maj 2011Lajmi më i rëndësishëm i kësaj jave erdhi ditën e enjte kur Beogradi papritmas bëri të ditur se ka arrestuar Ratko Mlladiqin, i cili në Tribunalin e Hagës akuzohet për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë - Hercegovinë. Për këtë lajm nuk ishin të përgatitura as mediat serbe, sepse mediat kroate ishin të parat që e botuan këtë lajm. Sidoqoftë, para gazetarëve doli vet presidenti Boris Tadiq për të konfirmuar arrestimin e Mlladiqit.
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton qëndroi këto ditë për vizitë në Beograd dhe Prishtinë. Vizita në Beograd u realizua në ditën e arrestimit të Ratko Mlladiqit. Ndërkohë që ishte planifikuar që më së shumti të bisedohet për dialogun Prishtinë-Beograd. Pas Beogradit Chatherine Ashton të premten vizitoi edhe Prishtinën, ku tha se sundimi i rendit dhe ligjit janë ndër elementet thelbësore për integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian.
Çështja më e rëndësishme në Shqipëri edhe këtë javë ishte ajo e mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjeve lokale. Lidhur me këtë çështje ndiqni një intervistë me ambasadoren gjermane në Tiranë, Carola Müller Holtkemper.