Arrestohet i dyshuari i dytë në Londër
17 Shtator 2017Policia njoftoi të dielën në mëngjes, se të shtunën vonë është arrestuar një person 21-vjeçar, në paralagjen perëndimore të Londrës, Hounslow. Aksioni i arrestimit është kryer pak para mesnatës, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aksionet në kërkimin e përgjegjësve për sulmin terrorist të premten, kur në Londër janë plagosur rreth 30 persona. Të shtunën është arrestuar një 18-vjeçar në portin Dover. Pak orë më vonë është bastisur edhe një shtëpi në afërsi të aeroportit Heathrow.
Deri tani nuk ka të dhëna për identitetin e personit të dytë të arrestuar mbrëmë vonë. Të premten në stacionin hekurudhor Parsons Green, në perëndim të Londrës, ka ndodhur një shpërthim i rëndë, që si pasojë ka pasur lëndimin e dhjetëra personave, por asnjë prej tyre nuk ka përsuar lëndime të rrezikshme për jetën. Pas sulmit në Britani të Madhe është dhënë sinjali i rrezikut më të lartë nga sulmet terroriste.