1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220711 Oslo Anschlag

23 Korrik 2011

Në atentatet e së premtes në Norvegji u vranë të paktën 91 vetë. Gjatë natës policia e korrigjoi numrin e viktimave të sulmi në një kamp të rinjsh pranë Oslos në 84. Një 32 vjeçar është arrestuar si i dyshuar.

https://p.dw.com/p/122AN
Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg në konferencë shtypi. 23.7.2011
Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg në konferencë shtypi. 23.7.2011Fotografi: dapd

Terrori goditi dy herë. Në mes të pushimeve të verës dhe si rrufe në qiell të kthjellët. Rreth orës katër të pasdites së të premtes në lagjen e ndërtesave qeveritare në Oslo shpërtheu një eksploziv.

„Të gjitha xhamat e dritareve që pashë fluturuan në ajër. Shoh vetëm policë dhe ambulanca, dhe shumë të plagosur. Gjendja këtu është jashtë kontrollit. Tani me sa duket po përpiqen të zbrasin rrugët përreth" - tregonte një dëshmitar në vendngjarje.

„Papritur e gjithë dhoma dhe në fakt e gjithë ndërtesa u ngrit në ajër, dritaret shpërthyen. Unë dola menjëherë jashtë dhe pashë që kudo kishte vetëm tym“- e përshkroi një grua përjetimin e momenteve të shpërthimit.

Police officers stand on Lagjia e ndërtesave qeveriare në Oslo.
Lagjia e ndërtesave qeveriare në Oslo.Fotografi: dapd

Rruga në lagjen qeveritare u gjend menjëherë nën gërmadha. Jo vetëm xhamat e dritareve, por edhe pjesë të mureve të ndërtesave u shkëputën nga shpërthimi. Policia foli fillimisht për dy të vdekur, por e korrigjoi më pas në shtatë numrin e viktimave. Kaosi në Oslo ishte kudo i pranishëm.

„Njerëzit vrapojnë në panik, janë të gjithë të tronditur. Në qiell ngrihej tym dhe një sasi letrash ra përtokë, papritur nga qielli binin gjëra nga më të ndryshmet. Njerëzit ishtë të hutuar. Kush ka mundësi largohet nga qyteti, të gjithë duan vetëm të mbërrijnë në shtëpitë tyre“, - tregonte një tjetër dëshmitar.

Shumë ndërtesa në qendrën e Oslos janë shkatërruar plotësisht. Edhe zyra e kryeministrit Stoltenberg dhe kate të tjera të ministrive të ndryshme. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk pësuan lëndime. Në një deklaratë të parë për media në orët e para të mbrëmjes Stoltenberg u shpreh:

„Askush nuk mund të jetë plotësisht i përgatitur për një situatë të tillë. Ne ishim në gatishmëri dhe ka pasur shumë ushtrime për situata të tilla. Por unë do të mund të them më shumë kur të njihem me detajet dhe sfondin e ngjarjes. Më e rëndësishmja tani është të kujdesemi për viktimat dhe të prekurit.“

Ishulli Utoya para brigjeve të Oslos.
Ishulli Utoya para brigjeve të Oslos.Fotografi: dapd

Kur kryeministri norvegjez jepte këtë deklaratë, askush nuk e merrte me mend se tmerri i Oslos nuk kishte përfunduar ende. Në një kamp të rinjsh të Partisë Socialdemokrate të Stoltenbergut, në një ishull para brigjeve të kryeqytetit, papritur pati të shtëna. Me sa duket pikërisht në momentin kur nxënësit 14 deri 18 vjeçarë po mblidheshin para televizorit për të parë pamjet nga shpërthimi në Oslo. Një burrë i veshur me uniformë polici qëlloi pa dallim në grupin e të rinjve. Djemtë dhe vajzat u përfshinë nga paniku, shumë kërcyen në ujë dhe u përpoqën të largoheshin me not.

Sipas të dhënave të fundit, atentatori ka vrarë 84 vetë në kampin e të rinjve. Një komando speciale ia doli në fund të ndalonte atentatorin. Të shtunën në mëngjes (23.7.) kryeministri Stoltenberg i quajti atentatet tragjedi kombëtare. Që prej Luftës së Dytë Botërore vendi i tij nuk është goditur kurrë nga një krim i këtij dimensioni, tha kryeministri norvegjez.

Autor: Tim Krohn / E. Xhani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi