1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentati ndaj Nord Stream 2: Ukraina nuk pranon përfshirjen

8 Mars 2023

Sipas mediave, gjurmët e atentatit kundër gazsjellësit Nord Stream 2 të çojnë tek një grup proukrainas. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksij Resnikov hodhi poshtë përzierjen e Ukrainës pas këtij akti.

https://p.dw.com/p/4ONhH
Shpërthimet tek gazsjellësi Nord Stream 2 pranë Bornholm, Danimarkë
Shpërthimet tek gazsjellësi Nord Stream 2 pranë Bornholm, DanimarkëFotografi: Danish Defence Command/dpa/picture alliance

Ukraina ka reaguar pas rapotimeve të mediave mbi rezultatet hetimore pas shpërthimeve në gazsjellësin Nord Stream 1 dhe 2. Kievi hedh poshtë çdo lloj pjesëmarrjeje në atentatet ndaj gazsjellësit Nord Stream. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksij Resnikov hodhi poshtë përzierjen e Ukrainës pas këtij akti. "Ne nuk jemi pas këtij akti", tha Resnikov para takimit me ministrat e Mbrojtjes së BE në Stokholm. Edhe këshilltari i zyrës së presidentit ukrainas, Myhajlo Podoljak e hodhi poshtë me vendosmëri përfshirjen e Ukrainës. Ukraina nuk të bëjë aspak me incidentin në Detin Baltik dhe nuk ka informacione për grupe sabotazhi proukrainas.

Sipas raportimeve të një grupi mediatik të ARD, SWR dhe "Zeit" hetimet mbi gjurmët e atentatit të çojnë në Ukrainë. Bazuar në të dhëna të shërbimeve sekrete thuhet, se përgjegjës mund të jetë një grup proukrainas. Në shtator 2022 pati shpërthime në gazsjellësit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 duke i dëmtuar rëndë.

Nga pala amerikane drejtori i komunikimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby iu referua vetëm hetimeve që janë në vazhdim në Gjermani nga Prokuroria e Përgjithshme si edhe në Skandinavi. "Ne besojmë se ka qenë një akt sabotazhi", tha Kirby. Por në fillim duhet të presim përfundimin e hetimeve. Vetëm më pas mund të flasim për veprimin e mëtejshëm.

Këshilltari i presidentit ukainas, Mykhailo Podoljak
Këshilltari i presidentit ukainas, Mykhailo PodoljakFotografi: Hennadii Minchenko/Avalon/Photoshot/picture alliance

Një ekip misterioz

Sipas raportimeve në media hetuesit nuk kanë gjetur të dhëna, se kush e ka dhënë porosinë për një shkatërrim të tillë. Ata kanë zbuluar vetëm një jaht që mund të jetë përdorur për atentatin në Detin Lindor. Jahti është marrë me qira nga një firmë me qendër në Poloni, që "me gjasë i përket dy ukrainasve". Përveç kësaj një ekip i përbërë nga një kapiten, dy polumbarë, dy asistentë polumbarë dhe një mjeke e kanë çuar lëndën eksplozive në vendin e ngjarjes. Se çfarë kombësie kanë këta persona nuk dihet ende. Sipas raportit hetimor ata kanë pasur pasaporta të falsifikuara.

Gazsjellësi Nord-Stream-1 i dëmtuar, pamje e 17.10.2022
Gazsjellësi Nord-Stream-1 i dëmtuar, pamje e 17.10.2022Fotografi: Trond Larsen/Expressen/TT/picture alliance

Autoritetet kanë zbuluar po ashtu, se jahti është nisur para shpërthimit nga Rostoku gjerman. Më pas ata kanë qëndruar në Viek am Dars, në Rygen dhe në ishullin danez Kristianso në verilinje të Bornholmit, pranë vendit ku ndodhi atentati tek gazsjellësit. Rusia i vlerësoi raportimet në media në lidhje me hetimet e sabotazhit ndaj Nord Stream 2 si përpjekje për të hequr vëmendjen nga organizatorët e vëtetë. "Ky është thjesht një mjet për të hequr dyshimin nga postet zyrtare qeveritare që kanë dhënë porosinë dhe kanë koordinuar atentatet në Detin Baltik dhe për ta çuar atë tek disa persona abstraktë", ka deklaruar ambasadori rus në Kombet e Bashkuara në platformën e tij në Telegram. "Ne nuk mund dhe nuk duam të besojmë në paanshmëinë e rezultateve të shërbimeve amerikane."

la/dpa/rtr/afp