1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austria relaksohet: verë normale nga korriku

28 Maj 2021

Kancelari Kurz u kishte premtuar një verë përgjithësisht normale, tani austriakët do ta kenë. Nga 1 korriku do të lejohen sërish stadiumet plot, sallat e koncerteve dhe teatrot - edhe pa mbajtur maska.

https://p.dw.com/p/3u82w
Österreich | Bundeskanzler Sebastian Kurz
Fotografi: Joe Klamar/AFP/Getty Images

Nga 1 korriku, Austria lejon përsëri stadiume të mbushura plot, salla koncertesh dhe teatrosh - dhe heq dorë gjithashtu nga kërkesa për të mbajtur maskë. Zëvendëskancelari Werner Kogler (Të Gjelbrit) njoftoi se nuk do të zbatohen më kufij të sipërm për numrin e vizitorëve në aktivitete jashtë dhe brenda. Parakushti është gjithmonë që vizitorët të jenë testuar, shëruar ose vaksinuar. Aktivitetet me më shumë se 500 vetë gjithashtu duhet të miratohen.

Incidenca javore aktualisht është rreth 40

Bazë për të gjitha lehtësimet që do të bëhen është zhvillimi i përgjithshëm shumë pozitiv, si për numrin e infeksioneve të reja me virusin Corona, ashtu përsa u përket shtretërve të zënë në spitale me pacientë me Corona, tha Kurz. Si një hap i mëtejshëm, ora e ndalim-qarkullimit do të shtyhet nga ora 22.00 aktualisht për në mesnatë. Incidenca javore në Austri është rreth 40.

Kurz: "Të mos bëhemi mendjemëdhenj"

Österreich Lockdown über Ostern
Fotografi: Herbert Neubauer/APA/picturedesk/picture alliance

"Të mos bëhemi mendjemëdhenj, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm,"paralajmëroi Kurz, veçanërisht duke pasur parasysh javët e ardhshme. Numri i infektimeve vërtet mund të rritet për shkak të hapjeve, por vetëm ky fakt nuk është vendimtar. "Situata në spitale është e rëndësishme për ne," tha Kurz. Përballë përparimeve në vaksinim, megjithatë, nuk pritet që situata të përkeqësohet përsëri. Ai ishte i lumtur që premtimi për një verë përgjithësisht normale qe e mundur të përmbushej, tha kreu i qeverisë.

Që nga 1 korriku, shumë njerëzve që hyjnë në vend nuk do t'u kërkohet më të regjistrohen online para se të kalojnë kufirin. Sidoqoftë, kushdo që kalon kufirin duhet të testohet, të jetë i shëruar ose të vaksinohet. Mosha për testin e detyrueshëm do të rritet prej 1 korrikut nga dhjetë në dymbëdhjetë vjeç.

Turizmi nis përsëri

Sipas Ministres së Turizmit, Elisabeth Köstinger (ÖVP), turizmi po fillon të vihet në lëvizje, përballë pengesave gjithnjë e më të ulta për të hyrë në vend. Në zonat e pushimeve, gjendja e rezervimeve ishte shumë e mirë që gjatë Rrëshajas. "Ne e shohim në parashikime që kjo do të vazhdojë".

Sekretarja e Shtetit për Artin dhe Kulturën Andrea Mayer (Të Gjelbrit) u tregua e lehtësuar për hapjet në kulturë. "Dega e artit dhe kulturës ka vuajtur shumë nga kjo pandemi, por ajo gjithashtu ka treguar se është elastike dhe krijuese në trajtimin e krizës," tha Sekretarja e Shtetit. Festivalet e mëdha të verës tani kanë një perspektivë planifikimi.

aud(dpa, ard)