Baerbock mbërrin në Ukrainë për një vizitë solidariteti
4 Nëntor 2024Tetë vizita në pothuajse një mijë ditë lufte: Ministrja e Jashtme gjermaneAnnalena Baerbock është sërish në Kiev. Mëngjesin e kësaj të hëne ajo mbërriti në kryeqytetin ukrainas, si zakonisht me tren nate. Në prag të dimrit të tretë të luftës që kërcënon Ukrainën, Baerbock dëshiron të dërgojë një shenjë solidariteti.
Përballë sulmeve të vazhdueshme ruse në infrastrukturë, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë premton më shumë mbështetje. "Së bashku me shumë partnerë nga e gjithë bota, Gjermania qëndron fort pranë Ukrainës," tha ajo në fillim të vizitës së saj në Kiev. "Ne do t'i mbështesim ukrainasit për aq kohë sa ata kanë nevojë për ne, në mënyrë që ata të vazhdojnë në rrugën e tyre drejt një paqeje të drejtë."
Mburoja mbrojtëse dimërore për infrastrukturën
Ministrja gjermane vlerësoi aftësinë e rezistencës së ukrainasve, "pavarësisht se sulmet masive ajrore ruse kundër infrastrukturës civile, ofensivat në zonat e Kharkovit dhe Donbassit, si dhe ndihmat e armatimit të Koresë së Veriut po e përkeqësojnë më tej situatën". Presidenti rus, Vladimir Putin, synon të nënshtrojë njerëzit me luftën e tij dërrmuese. "Ne e kundërshtojmë këtë brutalitet me humanizmin dhe mbështetjen tonë”, sepse ukrainasit mbrojnë gjithashtu lirinë e të gjithëve në Evropë.
Mburoja e mbrojtjes dimërore, të cilën Gjermania e ka zgjeruar kohët e fundit me 170 milionë euro shtesë ndihmë emergjente për energjinë, është përgjigja për termocentralet e shkatërruara dhe linjat e energjisë, tha Baerbock. Përgjigja ndaj terrorit edhe më të madh nga dronët rusë është iniciativa e mbrojtjes ajrore. "Nuk po lëmë asnjë përpjekje pa bërë në nivel global, kjo varet nga çdo sistem i mbrojtjes ajrore”, tha ministrja.
Dronë rusë mbi Ukrainë
Si zakonisht, udhëtimi i Baerbockut fillimisht u mbajt i fshehtë për arsye sigurie, derisa treni i saj special mbërriti në Kiev. Vizita e ministres së Jashtme gjermane në këtë kohë është sigurisht e rrezikshme. Kjo për shkak se Rusia po sulmon sërish Ukrainën, madje duke dërguar tufa të tëra dronësh. Shumë nga raketat e drejtuara goditën edhe kryeqytetin Kiev.
AR/kle (dpa, afp, rtr)