1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Botërore evidenton rreziqet ekonomike në Ballkan

3 Prill 2019

Në raportin për ecurinë ekonomike në Ballkanin Perëndimor përmendet ulja e papunësisë kudo. Për Shqipërinë kërkohet avancimi i reformave strukturore.

https://p.dw.com/p/3G9W1
USA, Washington: Weltbank
Fotografi: picture-alliance /U. Baumgarten

Banka Botërore (BB) sjell lajmin e mirë të rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit  Perëndimor vitin e kaluar dhe njëherazi shqetësimin për qëndrueshmërinë e saj në vitet që vijnë. Raporti Ekonomik Rajonal, i Bankës Botërore (BB), i publikuar të martën (02.04.2019) në Tiranë, vë në dukje se "rritja në Ballkanin Perëndimor ishte më e lartë në vitin 2018, por vendet e rajonit kanë nevojë të ngrejnë potencialet e tyre të rritjes afatgjatë për të mbajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme”.

Sipas raportit të BB "një  rritje ekonomike potenciale më e madhe në BP do të kërkojë qëndrueshmëri makroekonomike dhe progres në reformat për të forcuar qeverisjen, biznesin dhe përballuar rreziqe natyrore”.  BB parashikon gjatë 2019 - 2020 vijimin e rritjes ekonomike në Bosnjë-Herzegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe ulje në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri.

Faktorë frenues dhe rreziqe në Shqipëri

Rritja ekonomike në Shqipëri vitin e kaluar arriti mbi 4%, ndërsa për 2019-2020 parashikohet të jetë 3,7% . Maryam Salim, përfaqësuesja e BB në Tiranë tha gjatë prezantimit të raportit se "qëndrueshmëria e rritjes ekonomike kërkon një ritëm më të shpejtë në kryerjen e reformave strukturore dhe progresin në procesin e hyrjes në BE”.

Lidhur me faktorët frenues, që pritet të ulin rritjen ekonomike të Shqipërisë në periudhën 2019-2020, ekspertja e Bankës Botërore në Tiranë, Hilda Shijaku renditi edhe pakënaqësinë publike në rritje.    

Hilda Shijaku
Hilda ShijakuFotografi: World Bank Albania

”Siguria politike dhe vonesa në zbatimin e reformave strukturore mund të dëmtojnë si klimën e biznesit ashtu edhe perspektivën e anëtarësimit në BE. Çuarja përpara e reformave strukturore është jetike për të zbutur rreziqet që sjell pakënaqësia publike në rritje” tha ekspertja Shijaku në prezantimin e raportit.

Maryam Salim theksoi gjithashtu që Shqipëria”duhet të ruajë konsolidimin fiskal, të përshpejtojë reformat në sektorin e energjisë. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe i zbatimit të ligjit, rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor mbeten prioritete”.

Ulet papunësia, por nuk rritet numri i vendeve të punës

Vonesat në kryerjen e reformave strukturore konstatohen në raport për të gjitha vendet e BP. Pasiguria ekonomike dhe ajo për të ardhmen karakterizon situatën ekonomike dhe sociale në të gjitha vendet e BP.  Në këto kushte, raporti sugjeron që "autoritetet e vendeve të BP duhet të marrin masa për të përshpejtuar reformat strukturore dhe lehtësuar integrimin në tregun e punës nëpërmjet investimeve në kapitalin human, përmirësimin e klimës së biznesit dhe krijimin e kushteve të barabarta të zhvillimit për të gjithë".

Maryam Salim
Maryam SalimFotografi: World Bank Albania

Raporti i BB konstaton se niveli i punësimit u rrit në 2018 në të gjitha vendet e BP përveҫ Kosovës, por norma e rritjes së vendeve të punës ishte e ulët, vetëm 1,6 %.  Niveli i punësimit arriti nivele të larta historike në Maqedoninë e Veriut, kurse në Serbi kjo rritje ishte më e ulët. Papunësia u ul në të gjithë rajonin.  1,15 milionë vetë në BP ishin të papunë në 2018 ose 7,7 % më pak se në 2017. Papunësia u ul më shumë në Bosnjë-Herzegovinë, duke arritur një nivel historik prej 18,4%.  Nivelin më të ulët të papunësisë në rajon në 2018 e arriti Shqipëria me 12.3%  ndërsa me të lartën, prej 29,5 %  e ka Kosova.

Pasiviteti i  rinisë në BP- më i  larti në Europë.

Raporti ekonomik i BB 2018 për rajonin vë në dukje se papunësia e rinisë në BP mbetet problem  shqetësues. Në rajon ka 280.600 të papunë të moshës nga 15-24 vjeç, që raporti e cilëson citoj " një kontigjent në një periudhë shumë produktive”.  Niveli më i ulët i papunësisë së rinisë është në  Shqipëri me 23,1% , Serbi dhe Malin e Zi, të dyja me 30% . Pasiviteti i rinisë në BP, sipas raportit të BB, në vitin 2018 , ishte më i larti në Europë. Fjala është për atë kontigjent të rinjsh  dhe të rejash,  që nuk janë të punësuar, nuk janë në shkollë apo universitete dhe as në kurse trajnimi profesional. Raporti  i BB thekson se ky kontigjent rrezikon të jetojë në varfëri dhe i përjashtuar nga pikëpamja sociale.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana