1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BQE si "bad bank" e Evropës?

Henrik Böhme4 Tetor 2014

BQE po përdor armët e fundit në luftën kundër krizës në Eurozonë. Por blerja e planifikuar tani e titujve financiarë pa vlerë është një valle mbi vullkan, mendon Henrik Böhme.

https://p.dw.com/p/1DPdW
Fotografi: Fotolia/K.F.L.

Herë pas here Këshilli i Drejtorëve të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) e lë selinë e tij qendrore në Frankfurt mbi Main dhe mblidhet diku gjetkë në Eurozonë. Takimi i fundit u mbajt në atdheun e shefit të BQE, Mario Draghi në Itali. Që duhej të ishte pikërisht Napoli, qyteti në rrëzë të vullkanit Vezuv mund të jetë një rastësi, ose një simbolikë shumë e fortë. Sepse ajo që mbrojtësit e monedhës evropiane ofrojnë tani nuk është gjë tjetër veçse një valle mbi vullkan.

Prej pesë vjetësh tashmë zgjat agonia e Evropës. Që prej shpërthimit të krizës së madhe ndërkombëtare financiare kontinenti i vjetër është në vendnumëro. Ekonomitë e eurozonës nuk e kanë arritur ende nivelin që kishin para katastrofës së Lehman. Në nivel të frikshëm të lartë është edhe papunësia në shumë vende. Dhe borxhet shtetërore lëvizin si dhe më parë drejt niveleve të pashëndetshme.

Henrik Böhme
Fotografi: DW

Shefi i BQE Draghi para dy vjetësh pati premtuar se do të bënte gjithçka për të shpëtuar euron. Vazhdimisht ai ka njoftuar masa jokonvencionale. Vazhdimisht është shqyrtuar se çfarë është e mbuluar nga mandati i BQE dhe çfarë jo. Tani kemi mbërritur përsëri në një pikë të tillë. Politika monetare i ka përdorur të gjitha municionet e saj. Të fundit që kanë rezervë janë ato me maja të helmatisura. Pasi blerja e obligacioneve pa vlerë, është një tjetër thyerje tabuje, ashtu si zhvlerësimi i euros javët e kaluara nga ndërhyrjet verbale të Draghit.

Vërtet nuk tingëllon jologjike që të blihen nga bankat kreditë e vështira, në mënyrë që ato të mund t‘u vijnë në ndihmë me kredi të reja sipërmarrjeve. Problematike në këtë mes është që bankat i kanë lidhur këto kredi të vjetra me instrumenta financiarë si Asset Backed Securities (ABS) dhe letra garancie. Këto instrumente ishin një nga shkaktarët e krizës financiare pasi nëpërmjet paketimeve gjithnjë të reja rreziqet nuk ishin më të dukshme dhe askush nuk e dinte më se çfarë klase rreziku kishin instrumente të caktuara.

Megjithatë nuk është e gabuar të supozohet tani që bankat me shitjen e „titujve me helm“ fillimisht do të pastrojnë bilancet e tyre. Nëse vërtet më pas do t‘u japin kredi të reja sipërmarrësve të pasigur, kjo është një tjetër çështje. Edhe masa e fundit e BQE për t‘u shitur bankave kredi të lira me shpresën se ato do ta kanalizonin paranë në ekonomi, deri tani nuk ka treguar efekt. Ajo që është e sigurt tani është që me marrjen e rreziqeve nga institutet e kredisë në librat e saj, BQE do të kthehet në „Bad Bank“ të Evropës. Në rast mosshlyerje nuk përgjigjen më bankat private por taksapaguesit në Evropë. Dhe ata, të paktën kështu kishin rënë dakord pas krizës financiare të gjithë, nuk do të detyroheshin më kurrë të pastronin praktikat e papastra të bankierëve.