141011 Banken Krise
16 Tetor 2011Në Francë frika nga reduktimi i borxhit të Greqisë është mjaft e madhe. Sepse si banka Credit Agricole, ashtu edhe ajo Societe Generale, kanë degë në Greqi. Dhe në rradhë të parë ngaqë bankat greke kanë blerë bonot grekë të thesarit, këto dy banka bija në Greqi do të rëndonin bankat nëna në Francë, në se vendoset reduktimi i borxhit. Të ngjashme janë raportet ndërmjet bankës UniCredit dhe degës së saj gjermane HypoVereinsbank, dikur banka e dytë gjermane për nga rëndësia. Problemet e nënës, thotë Burghard Allgeier, kryeekonomist i bankës private Hauck & Aufhauser, mund të bëhet temë e bankës bijë: “Në mënyrë indirekte sigurisht kjo rrezaton mbi institucionet e këtushme, si për shembull UniCredit. Edhe pse duhet thënë se tregu bankar gjerman në krizën e madhe ia ka dalë relativisht mirë. Tregu bankar ka aq shumë lidhje në vende të ndryshme të botës, saqë krijohen efektet ngjitëse dhe natyrisht nga kjo vuajnë cilësia dhe boniteti i bankave gjermane.
"
Shumicën e rasteve nuk janë investimet e drejtpërdrejta të kapitalit, nga të cilat janë endur varësitë mes bankave të vendeve të ndryshme. Këtu bëjnë pjesë edhe kreditë e mëdha, të cilat për shkak të madhësisë së tyre mund t'u jepen vetëm së bashku konsorciumeve. Në qoftë se një partner lëkundet në konsorciume të tilla, atëherë duhet të përgjigjen të tjerët në vend të tyre, në qoftë se munden.
Ngatërresa më e madhe krijohet përmes tregut të parasë
Për shkak se bankat prej kohësh nuk operojnë më vetëm me paratë, që klintët u kanë besuar atyre për transaksionet e kreditit me klientë të tjerë. Bankat me nevojë për të holla janë të detyruara të marrin hua nga bankat e tjera, qö kanë tepricë të hollash. Dhe nëse kjo nuk funksionon, nëse mosbesimi reciprok është shumë i madh, atëherë rrjedhja e parave ndërpritet. Dexia belgo-franceze duhej të merrte rregullisht para në periudhë afatshkurtër, të cilat nga ana e saj ua kishte dhënë klientëve të saj me afat të gjatë. Por ky furnizim me para u ndërpre. Jos Clijsters, kryetari i bordit administrativ të Dexia-s, u ankua në televizion belg:
"Gjatë dy muajve të fundit tregu financiar ka qenë shumë i vështirë. Kjo filloi me historinë greke dhe vazhdoi me obligacionet e tjera shtetërore. Për këtë arsye tregu financiar është mbyllur. Kjo do të thotë: Sigurimi i kapitalit për Dexia është bërë gjithnjë e më i vështirë."
Roli i BQE
Ndërkohë një pjesë të madhe të rifinancimit të bankave e ka marrë përsipër Banka Qendrore Evropiane. Në të kanë besim bankat. Prandaj ata i fusin paratë shtesë në Bankën Qëndrore Evropiane. BQE i vë ato në qarkullim. Kështu rrjedh paraja. Partner biznesi i bankave mbetet megjithatë Banka Qendrore Evropiane. Për siguri dhe me qëllim që të mos lejojë të bjerë tregun e obligacioneve shtetërore, BQE ka në llogaritë e saj afro 160 miliardë euro nga shtetet e dobëta. Me këtë edhe rreziqet e dështimit mbeten tek ajo. Dhe në qoftë se ka rrezik, atëherë pyeten pronarët e Bankës Qendrore Evropiane, dhe keto janë shtetet.
Autor: Michael Braun/Angjelina Verbica
Redaktoi: Auron Dodi