Bankat e gjakut në Shqipëri janë në vështirësi e rrezikojnë të sëmurët kronikë
25 Gusht 2008Autoritetet shëndetësore në Shqipëri po rikthejnë edhe një herë në vëmendje opcionin e importimit të gjakut nga vendet e tjera. Ky proces shumë delikat dhe mjaft i kushtueshëm për buxhetin e shtetit, sipas ekspertëve diktohet nga vështirësitë që kanë aktualisht bankat e gjakut, ose siç njihen në gjuhën mjekësore qëndrat e grumbullimit të gjakut nga dhurimet, në të gjithë vendin. Gjatë këtyre 10 ditëve të fundit punonjësit e shëndetësisë janë ndierë keq për mosplotësimin e normave të pritshme të dhurimit të gjakut, një fakt që e pranon dhe zëvendësministri i shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas tij bëhet fjalë:
"për krijim të problemeve serioze në asistimin e të sëmurëve kronikë, për të cilët dhënia e gjakut lidhet me jetën e tyre".
Në Shqipëri targeti kryesor që i mban sytë përditë nga bankat e gjakut janë rreth 400 fëmijë talasemikë. Dhe në një periudhë shtrëngimi, si kjo e tanishmja, ata ndihen dhe më të rrezikuarit nga mosprezenca e porcioneve të mjaftueshme të grupgjakut që ata kanë nevojë.
Burimi i vetëm aktualisht për lëngun e jetës, është njeriu, pavarësisht disa eksperimenteve që janë duke u bërë në vend të ndryshme të botës për prodhimin e saj në mënyra të tjera.
Një nga organizatat joqeveritare që mbështet fuqishëm grumbullimin e gjakut nga dhuruesit është ajo e Kryqit të Kuq Shqiptar. Aktivistët e shoqatës zhvillojnë fushata ndërgjegjësimi e sensibilizimi në rrethe të ndryshme të vendit, vecanërisht në ambjente kolektive si shkolla, universitete, reparte ushtarke etj., duke ngritur dhjetra qëndra portative të dhurimit vullnetar të gjakut. Një pjesë e atyre që japin gjak janë dhe ata me pagesë, por sipas autoriteteve të shëndetësisë, numri i tyre sa vjen e ulet.