Bankat e mëdha nën dyshimin për marrëveshje karteli
2 Korrik 2013Komisioni i BE-së dyshon se Deutsche Bank dhe 12 banka të tjera nga Evropa dhe SHBA, kanë bërë marrëveshje të fshehta lidhur me sigurimet për kreditë e rrezikuara (CDS - Credit Default Swap). Viktima të marrëveshjeve të supozuara të paligjshme sipas Komisionit, kanë qenë Bursa Gjermane dhe bursa amerikane, Chicago Mercantile Exchange. Ndër të dyshuarit janë disa nga institucionet më të njohura të investimeve në botë: krahas Deutsche Bank në shënjestër të mbrojtësve të konkurrencës së ndershme në BE, janë edhe banka të mëdha si Bank of America, Merrill Lynch, Barclays, Bear Stearns, BNP Paribas, Citigroup, Credit Suisse, Goldman Sachs, HSBC, JP Morgan, Morgan Stanley, Royal Bank of Scotland dhe USB.
Dyshime për truke në tregtinë me CDS-të
Partnerë në kryerjen e transaksioneve të ndaluara sipas Komisionit të BE-së, kanë qenë ofruesi i shërbimeve financiare Markit dhe shoqata "International Swaps and Derivatives Association" (ISDA). Edhe pas hetimeve paraprake në 2006 dhe 2009 ata janë ribashkuar për të hequr qafe konkurrentë të padëshëruar. Bëhet fjalë për tregun e të ashtuquajturave CDS, letra me vlerë të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fillim të krizës financiare, pasi ishin shkaktarët e falimentimit të Lehman Brothers dhe kompanisë së sigurimeve AIG. Me këto letra me vlerë në të vërtetë duhet të bëhet sigurimi nga rreziqet e mosshlyerjes së kredive. Në këtë treg donin të merrnin pjesë edhe Bursa Gjermane (Deutsche Börse) dhe Chicago Mercantile Exchange, shpjegon Komisioni i BE-së në njoftimin e tij. Bursat iu drejtuan për këtë qëllim ofruesit të shërbimeve Markit dhe ISDA, për të marrë licencat dhe të dhënat e nevojshme. Këtu hyjnë në lojë bankat: ato sipas Komisionit kanë "instruktuar" Markit dhe ISDA, t'i pajisin bursat vetëm për një biznes të pjesshëm. Kështu bursat mund të kryenin biznesin jashtë burse ("over the counter"), por jo tregtinë me CDS në bursë. Bankat nuk donin që biznesi të kalonte në bursë.
Kërcënojnë gjoba të kripura
"Do të ishte e papranueshme nëse bankat bashkarisht kanë penguar bursat për të mbrojtur të ardhurat e tyre nga tregtia jashtë burse me derivatet", deklaroi komisioneri i BE-së për konkurrencën Joaquín Almunia. "Transaksionet 'over-the-counter' janë për investuesit jo vetëm më të shtrenjta se tregtia në bursë, por edhe më të ndjeshme ndaj rreziqeve të sistemit." Këtë e tregoi edhe falimentimi i Lehman Brothers.
Komisioni theksoi megjithatë se bëhet ende fjalë për dyshime. Hetimet kanë nisur para gati dy vjetësh, në prill 2011. Tani institucionet financiare mund të mbajnë qendrim për akuzat. Nëse ato vërtetohen, Komisioni i BE-së mund të vendosë gjoba të larta, deri në 10 për qind të xhiros vjetore të sipërmarrjes. Nëse bankat e kundërshtojnë vendimin, çështja i kalon për gjykim Gjykatës Evropiane në Luksemburg.