1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bankat e rrezikuara të Italisë:  Relevante për sistemin?

Michael Braun
27 Qershor 2017

Edhe po të veprohet sipas rregullave, shpëtimi i dy bankave të tjera italiane po cënon besimin ndaj një tregu europian bankar.

https://p.dw.com/p/2fRDn
Italien Italienischen Bank Banca d'Italia
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Naupold

"Ky është një anashkalim indinjues i rregullave të unionit bankar europian", ankohet zëdhënësi i politikës ekonomike dhe të financave në grupin e ekologjistëve EFA të Parlamentit Europian, Sven Giegold: "Ashtu si në rastin e paktit për stabilitetin dhe rritjen ekonomike edhe tani rrezikohet besimi ndaj rregullave të BE-së për unionin bankar." Ndërsa nënkryetari i komisionit për ekonominë dhe monedhën në Parlamentin Europian, kristiansociali Markus Ferber tha, se në aktivitetin bankar po anashkalohen rregullat europiane "kaq hapur, sa ne as që na duhet të flasim për një sisitem të unifikuar të sigurimit të depozitave."

Indinjata është e kuptueshme, sepse pas krizës financiare qeveritë premtuan, se nuk do t'i detyrojnë të paguajnë taksapaguesit, nëse duhet shpëtuar një bankë. E nëse kjo bankë duhet shpëtuar atëherë janë pronarët dhe kredituesit ata që duhet të paguajnë. Por tani që Veneto Banca dhe Banca Popolare di Vicenza dështuan dhe kaluan tek banka e dytë italiane Intesa Sanpaolo, shteti italian e mbështeti atë me gati pesë miliardë Euro kapital dhe me 12 miliardë Euro garanci.

Shumë kredi të rrezikuara

Askush nuk habitet, që pas krizës dhe përpjekjeve për shpëtimin e bankës Monte dei Paschi di Siena, sërish rrezikohen dy banka italiane. Kjo për arsye se bankat atje kanë të njëjtin problem si edhe ekonomia, vëren ekonomisti i Shoqërisë së Sigurimeve Allianz, Michael Heise: "Kjo ka të bëjë me faktin,që ekonomia italiane tani prej vitesh nuk ka rritje dhe që shumë kërkesa për kredi të përfshira në bilancet e bankave italiane janë të rrezikuara."

Monte dei Paschi Bank
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Solaro

Edhe në aspektin juridik është në rregull, që dy bankat italiane nuk po trajtohen prej autoritetit europian, Single Resolution Board (SRB), por sipas së drejtës italiane të falimentimit. Kjo është "mëse në rregull", thotë Mark Wahrenburg, profesor për menaxhimin e rregullimin e bankave pranë Universitetit të Frankfurtit. Sipas tij, "autoriteti europian është përgjegjës vetëm për bankat e mëdha."

Relevant për sistemin rajonal?

Në këtë rast ishte e diskutueshme, nëse duhej marrë një vendim politik, ose nëse falimentimi i bankës mund të rrezikonte të gjithë stabilitetin financiar. Direktiva përkatëse parashikon, që "duke marrë parasysh relevancën e institucionit përkatës për sistemin" duhen lejuar përjashtime nga rregullorja e përgjithshme. Në rastin konkret nuk u konstatua relevancë në nivelin europian. Por Italia për rajonin e Venetos pretendonte, "se bankat në fjalë janë relevante për rajonin" dhe i mbështeti ato të dyja.

Të dyja bankat do të shkrihen dhe aktiviteti i tyre do t'i kalojë tani bankës së dytë italiane Intesa Sanpaolo. Shefi i kësaj të fundit, Carlo Messina, bëri të ditur në frymën e qeverisë, se "pa ofertën e Intesa Sanpaolo kriza e dy bankave mund të kishte pasur pasoja serioze ndaj të gjithë sistemit bankar të Italisë." Por për këtë kanë dyshim dy politikanët e financave të BE-së, Sven Giegold dhe Markus Ferber, të cituar më sipër.