Barrozo: Komisioni Europian mbështet plotësisht planin e Marti Ahtisarit
6 Korrik 2007Bisedimet ndërmjet kryetarit të Komisionit Europian Hoze Manuel Barrozo dhe atij të Serbisë Boris Tadiç u përqëndruan pothuajse tërësisht në dy çështje kryesore: Së pari në ardhmërinë europiane të Serbisë dhe së dyti te e ardhmja e Kosovës. Presidenti i Komisionit Europian e bëri të qartë se e ardhmja europiane e Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë i Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Në rast se realizohet ky bashkëpunim, pra në
rast të dorëzimit në Hagë të Ratko Mlladiçit dhe të akuzuarve të tjerë serbë për krime lufte, deri në fund të këtij viti Beogradi mund të nënshkruajë me Brukselin marrëveshjen e asocim – stabilitetit – u bë e ditur sot në Bruksel.
Por ndërsa për këtë çështje, pra për integrimin e Serbisë në BE, Barrozo dhe Tadiç ishin në sintoni të plotë, kur ra fjala për të ardhmen e Kosovës u vunë re kundërshti të thella. Ndërsa zyrtari i lartë i Bashkimit Europian mbështeti tërësisht planin e propozuar nga Marti Ahtisari, presidenti serb u kundërpërgjigj duke thënë se Serbia nuk e pranon këtë plan.
Barrozo nënvizoi se marrëveshja e asocim stabilitetit të BE-së me Serbinë nuk është e lidhur me statusin e Kosovës. Por ai la të kuptohet po ashtu se bashkëpunimi i Beogradit me Hagën si dhe çështja e Kosovës janë nga ana tjetër probleme që kanë të bëjnë dhe prekin drejtpërsëdrejti BE-në.
Dyert e BE-së për Serbinë janë të hapura, dhe Serbia dhe populli i saj do të përfitojnë shumë pas integrimit të tyre në familjen e madhe dhe demokratike të BE-së. Europa nuk ka probleme si ato që ka Ballkani. Nuk ka më luftëra, por ka paqe, përparim, demokraci dhe begati, të cilat ajo është e gatshme t’ia ofrojë edhe vendeve ballkanike kur ato të
plotësojnë kushtet për tu integruar në të. Serbia dhe Ballkani perëndimor e kanë vendin në BE – deklaroi zyrtari i
lartë i Bashkimit Europian.
Duke u ndalur në çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, presidenti i Komisionit Europian nënvizoi se statukuoja nuk mund të vazhdojë, por duhet gjendur një zgjidhje multilaterale që ka në bazë planin e Marti Ahtisarit.
Por Tadiç reagoi duke thënë se Serbia e sotme nuk është Serbia e Millosheviçit, por një vend me institucione të konsoliduara demokratike. Por ai shtoi po ashtu se Serbia nuk pranon ta japë Kosovën. "Jemi të gatshëm për çdo lloj
kompromisi me përjashtim të pavarësisë së Kosovës", deklaroi presidenti serb.