BE: 1 miliard Euro për Libanin
2 Maj 2024. "1 miliard Euro që do të vihen në dispozicion deri në vitin 2027 do t'u ofrojë njerëzve në Liban ndihmën që nevojitet me kaq urgjencë, dhe do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit", tha presidentja e Komisionit Evropian në Bejrut, Ursula von der Leyen. Mjetet financiare, sipas BE, do të shërbejnë për pajisje dhe trajnimin e ushtrisë libaneze. BE do të ndihmojë në arsim dhe shëndetësi edhe refugjatët. BE do ta mbështesë me 1 miliard Euro Libanin që ai pas kësaj marrëveshjeje të pengojë fluksin e refugjatëve drejt BE
Si mund të zvogëlohet numri i refugjatëve që përpiqen të vijnë ilegalisht në Bashkimin Evropian? Përgjigja për këtë pyetje preokupon prej vitesh krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së. Ideja e tyre e fundit: marrëveshje për migracionin.
Sot. më 2 maj, shefja e Komisionit Ursula von der Leyen ndodhet në Bejrut së bashku me Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulidis, për të përfunduar një marrëveshje të tillë me Libanin.
Christodoulidis kishte dhënë më parë alarmin se vendi i tij "nuk ishte më në gjendje të pranonte refugjatë sirianë". Vetëm që nga fillimi i vitit 2024 në ishullin në e Mesdheut Lindor kanë arritur në mënyrë të parregullt rreth 4,000 vetë - në tremujorin e parë të vitit të kaluar kishte vetëm 78. Kampet e refugjatëve janë të mbipopulluara, shpjegoi Christodoulidis. Së fundmi ai i kishte udhëzuar autoritetet e vendit të tij të ndalonin shqyrtimin e kërkesave për azil nga refugjatët sirianë.
Pse BE dëshiron të mbështesë Libanin?
Që prej shpërthimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, Libani ka pranuar më shumë se 1.5 milionë refugjatë nga vendi fqinj. Distanca në linjë ajrore nga Tripoli, në veri të vendit, deri në Larnaka në Qipro, është rreth 200 kilometra. Refugjatët sirianë përpiqen vazhdimisht ta kapërcejnë këtë rrugë me anije.
Vetë Libani është në një krizë të rëndë ekonomike; Brukseli është gjithashtu i shqetësuar se lufta në Rripin e Gazës mund të ketë ndikim edhe në Liban - veçanërisht nëse përshkallëzohet konflikti midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut radikal islamik në Libanin jugor. Sepse nëse ndodh kjo BE-ka ka frikë se edhe më shumë vetë mund të largohen nga Libani drejt Evropës.
Javën e kaluar, kryeministri i Libanit Najib Mikati i bëri thirrje BE-së që ta ndihmojë vendin e tij "të riatdhesojë refugjatët sirianë". Ai bëri thirrje gjithashtu për "më shumë mbështetje për forcat e armatosura dhe shërbimet e sigurisë" si dhe për "projektet e zhvillimit dhe të investimit në fushat e energjisë së rinovueshme, të ujit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm".
Para për pranimin e refugjatëve
BE-ja duket e gatshme ta ndihmojë Libanin në këtë drejtim - dhe në këmbim po kërkon që Bejruti të bëjë më shumë për të ndaluar refugjatët të kalojnë Mesdheun. Flitet për "mbështetje financiare dhe politike shumëvjeçare” deri në vitin 2027.
BE-ja ka lidhur tashmë marrëveshje të tilla me disa shtete në Afrikën e Veriut: në disa raste ajo u paguan miliarda shteteve në vështirësi ekonomike. Marrëveshje të tilla ka me Mauritaninë dhe Tunizinë, për shembull.
Në mes të marsit BE-ja nënshkroi një marrëveshje të tillë edhe me Egjiptin. Sipas saj Egjipti do të marrë 7.4 miliardë euro nga Brukseli brenda katër viteve - si kredi, por edhe si investime në teknologjitë e gjelbra apo digjitalizimin e vendit. Në këmbim Egjipti duhet të veprojë më me forcë kundër kontrabandistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të mbrojë më mirë kufijtë e tij me Sudanin dhe Libinë.