BE apel Maqedonisë së Veriut: Nuk keni kohë për të humbur
13 Korrik 2023Tre ministrat e jashtëm të Grupit të Vishegradit, ministri i punëve të jashtme i Austrisë, Aleksandër Shallenberg, ministri i punëve të jashtme i Çekisë, Jan Lipavski dhe ministri i punëve të jashtme i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, të autorizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë përcjellë ne Shkup qëndrimet zyrtare të BE-së lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut rrezikon izolimin nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese, ka vlerësuar kryediplomati austriak Aleksandër Shallenberg.
"Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon të ecë drejt rrugës evropiane, Maqedonia e Veriut përballet me rrezikun të jetë e izoluar. Vendi ka pritur 18 vjet që të vijë ky moment. Tani ju takon juve që të përfitoni nga ky moment. Duhet të jeni politikisht përgjegjës dhe mbi të gjitha të keni interesa kombëtare. Momenti është tani dhe ju sigurojmë se nuk po ndërhyjmë në punët e brendshme të vendit”, ka thënë ministri austriak Shallenberg. Sipas tij, nuk ndodh çdo ditë që tre ministra nga tre anëtarë të BE-së të vijnë në një vend të Ballkanit Perëndimor, kjo duhet të jetë një mesazh i fortë për ju, ka nënvizuar Shallenberg.
"Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i fortë, është një mesazh inkurajimi, nuk ka kohë për të humbur, dëshirojmë që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të nisur negociatat për anëtarësim. Shtyrja e miratimit të amendamenteve do të thotë shtyrje e pranimit të Maqedonisë së Veriut. Do të ishte turp që Shkupi, pas një maratonë të vështirë, të pengohej në pengesën e radhës. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe kemi kapërcyer shumë vështirësi”, theksoi ministri i punëve të jashtme të Austrisë Aleksander Shallenberg.
Osmani: Maqedonia e Veriut sërish në udhëkryq
Ministri i punëve të jashtme të RMV-së Bujar Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të zëshme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë për rrugën evropiane të vendit tonë, duke shtuar se këto janë vende mike të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat i njohin mirë zhvillimet aktuale politike në rajon, por edhe kontekstin gjeopolitik në të cilin zhvillohen proceset në Ballkan. "Zgjerimi i Unionit ballafaqohet me një moment integrues, të cilin nuk duhet ta humbasim. Maqedonia e Veriut nuk duhet të lejojë që të veçohet dhe t'i përkasë grupit të vendeve kandidate ose kandidatëve potencialë që kanë çështje të hapura dhe për të cilat nuk do të ketë shteg të përshpejtuar për anëtarësim në BE. Përkundrazi, do të bëjmë një gabim historik, nëse nuk qëndrojmë në shtegun e tanishëm, në të cilin me vështirësi u kthyem, pas shumë vitesh pritjeje”, është shprehur ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Për herë të parë na është dhënë çelësi t'i zhbllokojmë vetë kapitujt dhe të vazhdojmë me sukses procesin e negociatave, e ky është një shans, të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut nuk guxon ta anashkalojë, ka vlerësuar Osmani. Duke folur për domosdoshmërinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për t'i hapur rrugë vazhdimit të procesit të bisedimeve midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ministri Osmani vuri në dukje përballjen me rezistencën e imponuar nga përfaqësuesit e opozitës, e cila në thelb është joracionale, duke qenë se nuk ndryshon thelbin e rregullimit kushtetues të vendit. "Javët në vijim deputetët në Parlamentin e RMV-së do të duhet të zgjedhin- të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, që është obligim dhe përfitim yni civilizues, ose do ta mbyllim atë derë me arsyetime, për të cilat më askush nuk do të kujtohet”, tha Osmani.
Përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës duhet të ndodhë deri në tetor apo në nëntor të këtij viti. Përveç ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut duhet të plotësojë edhe kritere tjera, që kanë të bëjnë me çështjet e historisë të hapura nga Bullgaria, si ndryshimet në programet e historisë, tekstet e reja, mbishkrimet në disa monumente, tabelat, materialet informative në muze dhe objekte të tjera me rëndësi arsimore dhe kulturore.