BE kufizon lirinë e lëvizjes për kriminelët e luftës
3 Maj 2018Me këtë vendim Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg i ka konfirmuar vendimet e mëparshme të gjykatave në Holandë dhe Belgjikë. Në rastin e parë bëhet fjalë për personin K. me nënshtetësi kroate dhe atë të Bosnje-Hercegovinës. Gjykata në Holandë e ka shpallur atë person të padëshiruar në territorin e saj, për shkak të dyshimeve serioze se ka bërë krime lufte në Bosnje-Hercegovinë. Në vendimin e Gjykatës Evropiane thuhet se autoritetet holandeze i kanë ndaluar personit K. qëndrimin në këtë vend, me shpjegimin se gjatë luftës ka qenë pjesë e një njësie speciale e cila ka marrë pjesë në krime lufte.
Krimet e K.
Për hir të mbrojtejs së identitetit të personit, gjykata nuk jep shpjegime se në cilën njësi dhe në cilën zonë janë bërë krimet. E vetmja që thuhet është se "K. ka qenë pjesë e ushtrisë boshnjake në periudhën 1992 - 1994" dhe se më vonë ka dezertuar nga ushtria.
Në vitin 2001, personi K. ka ardhur në Holandë me bashkëshorten dhe një fëmijë. Në vitin 2006 ata kanë lindur edhe një fëmijë tjetër. K. menjëherë pas ardhjes ka kërkuar azil, por kërkesa i është refuzuar. Disa vjet më vonë ka kërkuar azil prapë, por edhe kjo kërkesë është refuzuar dhe është vendosur që ai nuk ka të drejtë të qëndrojë në Holandë. Pas futjes së Kroacisë në BE, K. ka kërkuar leje qendrimi në Holandë, në kuadër të së drejtës së shtetasve të BE-së që të lëvizin në mbarë zonën Shengen. Por kërkesa është refuzuar për shkak të dyshimeve për krime lufte dhe dyshimeve për pjesëmarrjen e tij në krime.
Drejtësia holandeze pohon se duhet të ndërmarrë masa mbrojtjeje për rendin publik dhe sigurinë publike, me qëllim që shtetasit holandezë të mos bien në kontakt me persona që në vendet e tyre dyshohen për krime lufte apo vepra të rënda kriminale. "Në veçanti duhet evituar mundësia që K. të bierë në kontakt me personat e familjeve ndaj të cilëve mund të ketë bërë krime, e tani jetojnë në Holandë", thuhet në vendim.
Me rastin e marrjes së vendimit nuk është me rëndësi nëse një person ka qenë në Holandë dhe sa kohë ka qenë atje. Por Gjykata Evropiane e Drejtësisë pohon se gjykatat e një vendi nuk mund të marrin vendime sipas qejfit të tyre apo sipas ndonjë automatizmi. Çdo rast duhet të trajtohet si i veçantë dhe për çdo person duhet të organizohet një proces. Për çdo individ duhet të saktësohet nëse paraqet rrezik për rendin publik dhe sigurinë. Duhet të saktësohet nëse ai ka bërë krime për të cilat dyshohet.
Rasti tjetër
Në rastin e dytë bëhet fjalë për një shtetas të Afganistanit i cili ka kërkuar leje qëndrimi në Belgjikë, sepse vajza e tij ka nënshtetësi belge. Edhe ai dyshohet se është përfshirë në krime lufte në Afganistan, ndaj gjykata belge ia ka shkurtuar të drejtën e qëndrimit në këtë vend.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Evropiane, gjykatat në Holandë dhe Belgjikë duhet të marrin vendimet përfundimtare për fatin e këtyre personave dhe familjeve të tyre.