020211 EU Ägypten
3 Shkurt 2011Përballë pamjeve të fundit nga Egjipti, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje dhe dialog. Ajo që filloi si protestë paqësore, po bëhet gjithnjë e më e dhunshme, tha Ashton në Bruksel. Numri i madh i të plagosurve dhe të burgosurve ngjall shqetësim. Kryediplomatja e BE-së u shpreh me fjalë të qarta: "Zoti Mubarak duhet t'i përgjigjet vullnetit të popullit. Demonstrimet janë shprehje e këtij vullneti. Dhe Mubarak duhet të mendojë me kujdes, se si mund të tregojë që po lëviz përpara."
"Ne duhet të shohim lëvizje dhe shumë shpejt", tha më tej Ashton, "për këtë nuk ka asnjë dyshim".
"Ne i bëjmë thirrje presidentit Mubarak të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur."
Për shumë eurodeputetë ky apel nuk ishte i mjaftueshëm. Kështu mendon edhe Dany Cohn Bendit, kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve:
"Bëjini thirrje zotit Mubarak t'i japë fund sulmeve ndaj demonstruesve, pasi ai po e bën këtë që të pretendojë më vonë se duhet të rivendosë rregullin. Kjo është gracka, që ai po ngre tani."
Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, kritikoi kreun e BE-së. Ai shprehu keqardhje që megjithë apelet askush nuk ka udhëtuar për në Tunizi, apo Egjipt:
"Njerëzit, të cilët demonstrojnë atje nëpër rrugë, njerëzit, të cilët drejtojnë këtë revolucion, ata kanë tjetër gjë në mendje nga shteti i Zotit. Ata duan laicizëm, duan demokraci civile. Ata janë partnerët tanë, me ata duhet të bashkëpunojmë. Ky është shansi i madh për Evropën."
Ashton ka njoftuar ndërkohë se pas dy javësh do të shkojë në Tunizi. Ahmed Ouneies, ministri i Jashtëm i Tunizisë, lëvdoi të mërkurën (02.02.) dinamizmin e kryediplomates së BE-së Ashton:
"Ajo ka ndërmarrë iniciativën dhe ishte e para, që na mori në telefon për të shprehur mirëkuptimin dhe solidaritet."
Ministri tunizian zgjodhi Brukselin si stacionin e parë të vizitës së tij jashtë vendit, për të dikuskutuar me Ashton mbi mbështetjen e mëtejshme në rrugën drejt demokracisë. BE i premtoi atij mbështetje në zgjedhjet e ardhshme, dhe në tranzicionin drejt demokracisë. BE premtoi edhe mbështetje për shoqërinë civile, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik dhe social.
Autor: Katrin Brand/Eliana Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica