BE me paralajmërim të fortë për Rusinë
16 Dhjetor 2021Moska duhet të zbusë urgjentisht tensionet e shkaktuara nga vendosja e trupave në kufirin me Ukrainën. Çdo agresion i mëtejshëm ushtarak do të ketë pasoja masive dhe, siç bëhet e ditur, kosto të larta. Çështja se për cilat sanksione bëhet fjalë nuk u trajtua. Ukrainës iu garantua solidariteti i plotë i BE.
Sanksioni i mundshëm: shkëputja e Rusisë nga rrjedha financiare ndërkombëtare
Krerët e shteteve dhe qeverive nuk e specifikuan se për çfarë masash penalizuese bëhet saktësisht fjalë. Sipas diplomatëve,në shqyrtim janë sanksione kundër kompanive shtetërore dhe oligarkëve rreth Presidentit Vladimir Putin. Përveç kësaj, si një opsion i mundshëm shihet ndalimi i funksionimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani. Për më tepër, Rusia mund të përjashtohet nga sistemi i pagesave Swift, gjë që de facto do ta ndërpresë atë nga rrjedhat financiare ndërkombëtare.
NATO nuk ka të dhëna për tërheqje të trupave ruse
Sipas informacioneve të NATO-s, Rusia vazhdon pa ndryshim lëvizjet e trupave të saj drejt Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në kuadër të një takimi me presidentin ukrainas Selenskyi në Bruksel se nuk ka asnjë tregues se përqendrimi ushtarak po ndalet ose po ngadalësohet. Krejt e kundërta.
aud (dlf)