BE ndërpret mbikëqyrjen e buxhetit grek
11 Gusht 2022Komisioni Evropian njoftoi ndërprerjen e mbikëqyrjes së buxhetit të qeverisë greke. Ky hap shënon fundin e krizës së borxhit të Greqisë, që nisi në vitin 2010, shkaktoi mosmarrëveshje mes Athinës dhe kreditorëve evropianë dhe rrezikoi në një moment madje që Greqia të dilte nga zona euro.
Komisioni tha se Greqia e kishte "përmbushur pjesën më të madhe të angazhimeve politike", prandaj komisioni do t'i japë fund "mbikëqyrjes së zgjeruar" të buxhetit të Greqisë më 20 gusht.
"Si rezultat i përpjekjeve të Greqisë, aftësia e ekonomisë greke për t'u përballur me krizat është përmirësuar ndjeshëm dhe rreziqet e efekteve të përhapura në ekonominë e eurozonës janë zvogëluar ndjeshëm" dhe "mbajtja e Greqisë nën mbikëqyrje të zgjeruar nuk është më e justifikuar," tha Komisioni.
Fundi i një 'kapitulli të vështirë' për Greqinë
Raporti i Komisionit arriti në përfundimin se Greqia ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arritur angazhimet që kishte marrë ndaj partnerëve të BE-së, pavarësisht nga "rrethanat sfiduese të shkaktuara nga implikimet ekonomike të valëve të reja të pandemisë, si dhe nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës".
"Me këtë zhvillim, së bashku me shlyerjen e parakohshme të kredive nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe heqjen e kufizimeve të kapitalit, merr fundon pas 12 vjetësh një kapitull i vështirë për kombin tonë" - tha ministri grek i Financave Kristos Staikouras. "Greqia po i kthehet normalitetit evropian dhe nuk është më rast përjashtimor në eurozonë”, shtoi Staikouras.
Por edhe pse Greqia është rikthyer në tregjet ndërkombëtare të obligacioneve, vlerësimi i besueshmërisë së vendit për të marrë kredi mbetet nën nivelin e investimeve.Qeveria greke tha se shpreson të rifitojë nivelin e vlerësimit për investime deri në vitin e ardhshëm.