1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE redukton stafin e EULEX-it megjithë kritikat e NATO-s

dpa/Eliana Xhani26 Maj 2012

BE njoftoi të premten se do të reduktojë me 25% numrin e stafit të tij ligjor në Kosovë (EULEX) muajt e ardhshëm, megjithë kritikat e NATO-s se misioni nuk ka burime të mjaftueshme.

https://p.dw.com/p/152oe

Zyrtarë të BE-së thanë të premten (25.5.) se stafi ndërkombëtar i misionit do të reduktohet në rreth 1,200 dhe ai lokal në rreth 1000. Shkurtimet do të prekin kryesisht stafin policor të EULEX-it dhe patrullat në pjesën veriore me shumicë serbe të vendit.

"Ne do të reduktojmë stafin tonë këtë verë. Një në katër pjesëtarë të stafit, lokal dhe ndërkombëtar, do të largohen", deklaroi për gazetarët në Bruksel Hansjoerg Haber, shef i planifikimit civil në BE.

Hansjoerg Haber
Hansjörg HaberFotografi: picture-alliance/ dpa

NATO kritikon EULEX-in për burime të pamjaftueshme

Muajin e kaluar NATO dërgoi ushtarë shtesë në Kosovë, 550 ushtarë gjermanë dhe 150 austriakë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen u ankua në Parlamentin Evropian se EULEX nuk po bën sa duhet në veri të Kosovës.

Të premten një zyrtar i NATO-s që kërkoi të mbetet anonim i tha agjencisë gjermane të lajmeve "dpa" se aleanca është në dijeni të vendimeve të BE-së por i takon 27 vendeve anëtare të Unionit të "përcaktojnë mandatin e tij dhe burimet e nevojshme".

BE: zgjidhja e tensioneve etnike kërkon përpjekje diplomatike

Një zyrtar i BE-së tha se Unioni i kupton shqetësimet e NATO-s por argumentoi se për zgjidhjen e konfliktit etnik në veri të Kosovës nevojiten më shumë përpjekje politike dhe diplomatike se sa forca policore.

Në samitin e saj këtë javë NATO tha se "po lëviz drejt një pranie më të vogël dhe fleksibël" të misionit paqeruajtës KFOR, por "vetëm kur situata e sigurisë ta lejojë këtë".

Haber tha se EULEX do të fokusohet më shumë në krimet e luftës dhe krimin e organizuar. Të gjitha vendet anëtare kanë rënë dakord për reduktimin e EULEX-it, tha Haber dhe shtoi: "Ka ardhur koha që kosovarët të marrin në duar përgjegjesitë për vendin e tyre".