1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE saktëson rregullat për transportet ruse në Kaliningrad

14 Korrik 2022

Në konfliktin për kufizimin e qarkullimit të mallrave ruse përmes Lituanisë për në eksklaven e Rusisë, Kaliningrad BE-ja ka vendosur direktiva të reja. Nëse me këtë zgjidhet grindja me Moskën mbetet të shihet.

https://p.dw.com/p/4E5mK
Russland | Güterzüge in Kaliningrad
Fotografi: Vitaly Nevar/REUTERS

Rusia lejohet parimisht sërish të kalojë mallra përmes hekurudhës nga Lituania në ekslaven ruse të Detit Baltik, Kaliningrad. Këtë e përcaktoi Komisioni i BE-së pas protestave për javë të tëra dhe kërcënimeve nga Moska. Sipas udhëzimit të Komisionit të BE-së, Rusia lejohet të transportojë mallra civile që ndodhen në listën e sanksioneve të BE-së si dru dhe çimento përmes hekurudhës nga Lituania për në eksklaven ruse Kaliningard. Por vazhdojnë të jenë të ndaluara transportet e mallrave përmes qarkullimit rrugor nga spedicionet ruse. Gjithashtu edhe përmes hekurudhës nuk lejohet të transportohen mallra, që mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Lituanisë i kërkohet që të kryejë kontrolle, për të verifikuar nëse ka valë qarkullimi apo mallra "të pazakonta" me destinacion Kaliningradin. Si kriter referimi do të merret volumi i transporteve ruse gjatë tre vjetëve të fundit. Përmes kësaj rregulloreje synohet të pengohet, që Rusia të transportojë drejt vendeve të tjera përmes Kaliningradit mallra, që ndodhen në listën e sanksioneve duke u devijuar masave ndëshkuese.

Russland | Hafen Kaliningrad
Porti i KaliningraditFotografi: Vitaly Nevar/TASS/picture alliance

Grindje për tranzitin

Shteti i Baltikut, Lituania që është anëtare e BE-së, por edhe e NATO-s, në mes të qershorit e kufizoi qarkullimin e mallrave mes Rusisë dhe Kaliningradit duke iu referuar sanksioneve të BE-së. Pasojë e kësaj ishin kërcënimet ruse me "hapa" kundër këtij vendi. Qeveria në Moskë akuzoi Vilnën, se po kufizon në mënyrë të palejueshme qarkullimin e mallrave. Konkretisht Rusia iu referua shfuqizimit të marrëveshjes ruso-lituaneze për kufijtë shtetërorë. Madje edhe lidhja e Lituanisë në një rrjet të përbashkët elektriku të aktivizuar në mënyrë të sinkronizuar është përmendur në këtë kontekst.

Gjermania qartazi për çtensionim

Për vendosjen e rregullave të reja u angazhua veçanërisht Gjermania. Qeveria gjermane, sipas të dhënave nga qarqet e BE-së, druante se grindja për tranzitin mund të provokonte një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve me Moskën, që janë gjithsesi të ashpra për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës. Gjithashtu, sipas të dhënave nga Berlini, paraprakisht ka pasur marrëveshje konkrete për interpretimin e sanksioneve, të cilat nuk përputheshin me veprimet e Lituanisë.

Me rregullat e reja Komisioni i BE-së tani bën të qartë, se e e vendos të drejtën e Rusisë për tranzitin përmes hekurudhës mbi bazë ligjore, pasi në sfondin e sanksioneve Rusisë mund t'i ndalohej transporti i mallrave përmes Lituanisë.

Russland Chernyshevskoye | LKWs am Grenzposten nach der Grenze zu Litauen
Autokolonë e spedicioneve ruse në kufirin me LituaninëFotografi: AP Photo/picture alliance

Mbetet e hapur megjithatë, nëse direktivat e reja do të kontribuojnë për çtensionimin e situatës. Fakti që Lituania përmes kontrolleve mund ta zvarrisë qarkullimin e mallrave mes Rusisë dhe Kaliningradit, është një ndër aspektet që nuk ndikojnë në zbutjen e gjendjes. Të mërkurën (13.07) sipas të dhënave të radios lituaneze në kalimin kufitar u krijuan radhë të gjata kamionësh. Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov, tha në konferencë shtypi në Moskë: "Nuk ka ende një zgjidhje përfundimtare të situatës."

Eksklava Kaliningrad përreth zonës që dikur quhej Königsberg midis shteteve të BE-së Lituanisë dhe Polonisë, është vetëm rreth 500 km larg Berlinit dhe mbi 1000 km nga Moska.

 

 

qu/kle (dpa, afp, rtr)