1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE synon të forcojë të drejtat e fëmijëve

Ulrike Bosse5 Korrik 2006

Fëmijët që kanë nevojë për ndihmë do të kenë në të ardhmen në dispozicion një numër telefoni ndihme të përbashkët për të gjitha vendet e BE-së. BE-ja do të vërë në dispozicion edhe një numër unik për të gjitha vendet anëtare për fëmijët e humbur si dhe viktimat e shfrytëzimit seksual

https://p.dw.com/p/Aqcy
Fotografi: dpa

Duke filluar nga fundi i këtij viti fëmijët do të kenë mundësi, që në mbarë Evropën t'i drejtohen një numri unik telefonik, në rast se kanë nevojë për ndihmë. Komisioni i BE-së propozoi që në strategjinë për të drejtat e fëmijëve të krijohet një hotline, për fëmijët që kanë nevojë për ndihmë, për ata që kanë humbur si dhe për ata që janë viktima të shfrytëzimit seksual. Të drejtat e fëmijëve do të kenë rëndësi të posaçme në kuadrin e të drejtave të përgjithshme të qytetarëve gjatë kuhës kur Komisioni i BE-së do të drejtohet prej tij, deklaroi presidenti i këtij komisioni Jose Manuel Barroso.

"Qëllimi është nxitja e një strategjie evropiane për mbrojtjen dhe forcimin e të drejtave të fëmijëve në të gjitha sektorët e politikës evropiane." - tha ai.

Përveç krijimit të numrave të emergjencës për fëmijët, të cilat do të fillojnë me shifrat 116, komisioni i BE-së synon që të krijojë edhe një rrjet bashkëpunimi mes bankave dhe institucioneve të kartave të kreditit, për t'i vënë fre përdorimit të kartave të kreditit për pagimin e faqeve të internetit që përmbajnë pornografi me minorenë.

Komisari i BE-së për drejtësinë Franco Frattini, thekson se BE-ja dëshiron ta përforcojë sektorin e përndjekjes penale në rastet e shpërdorimit të fëmijëve dhe pedofilisë. Pikërisht në këto fusha ku kriminaliteti ka karakter ndërkufitar dhe ndërkombëtar, është i nevojshëm edhe një kooperim ndërkombëtar.

"Në disa vende të BE-së ka njësi speciale të policisë që merren me përndjekjen e rasteve të pedofilisë në internet. Detyra jonë do të ishte që nën drejtimin e Europolit të sigurohej një rrjet koordinimi mbarevropian i këtyre njësive speciale të çdo vendi." - tha komisari i BE-së për drejtësinë, Franco Frattini.

Komisioni i BE-së synon që në politikën e tij për vitin e ardhshëm t'u japë një vend të posaçëm çështjeve të fëmijëve dhe të zhvillojë programe për luftimin e varfërisë së fëmijëve në vendet e BE-së.

Synimi i BE-së nuk është vetëm që të vendosë rregulla, por që të mbështesë shtetet anëtare në përpjekjet për të drejtat e fëmijëve dhe t'i sensibilizojë ato përmes zhvillimit të një strategjie evropiane.

Në botë ka 40 milionë fëmijë nën moshën 12 vjeç të shpërdoruar apo të lënë pas dore, 5,7 milionë fëmijë që shfrytëzohen për punë dhe skllavëri, 300 000 fëmijë ushtarë dhe rreth 1,2 milionë viktima të trafikimit. Të gjitha këto shifra, sipas mendimit të Komisionit të BE-së, bëjnë të qartë që të drejtat e fëmijëve duhet të zënë një vend të posaçëm në nivel evropian.